Vendosni fjalën kyçe....

Shefja e BE-së bën thirrje për reformë të azilit pas vdekjeve të migrantëve në Itali


Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për progres në reformën e bllokuar të Bashkimit Evropian për azil, pas raportimeve për vdekjen e mbi 50 migrantëve në Itali, sipas REL.

Von der Leyen ka thënë se vdekjet e raportuara në orët e hershme të së dielës janë tragjedi që e kanë lënë atë “thellësisht të pikëlluar”.

Varka e mbingarkuar, me më shumë se 120 migrantë, është përmbytur në rajonin e Kalabrisë, në jug të Italisë. Rreth 80 persona kanë shpëtuar.

“Ne duhet të dyfishojnë përpjekjet tona për Paktin e Migrimit dhe Azilit, dhe planin e veprimit për qendrën e Mesdheut”, ka thënë ajo.

Një numër i madh i migrantëve – që i ikin konfliktit dhe varfërisë – e marrin rrugën nga Afrika për në Itali, çdo vit.

Ende është e paqartë kombësia e viktimave, mirëpo agjencitë lokale kanë raportuar se migrantët janë nisur nga Irani, Iraku, Siria, Afganistani, Pakistani dhe Somalia.

Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur “pikëllim të thellë” për përmbytjen e varkës, dhe është zotuar se do t’i japë fund migrimit të parregullt detar, si mënyrë për të parandaluar më shumë tragjedi.