Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e fasonit rrit papunësinë te femrat në tremujorin e tretë


Teksa papunësia në tërësi ka pësuar rënie në tremujorin e tretë të vitit, fenomeni ka shënuar rritje për femrat 15 vjeç e lart.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se papunësia te gratë arriti 11,1% te femrat mbi 15 vjeç nga 10.4% që ishte në tremujorin e dytë të vitit.

Burimet nga tregu referojnë se rritja e papunësie te femrat lidhet me krizën që është duke përjetuar sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, që është edhe punëdhënësi kryesor me pagë i grave në qytetet kryesore të vendit.

Këtë vit, sektori fason është përballur me vështirësi nga kursi i këmbimit dhe rritja e pagës minimale dhe rënies së kërkesës nga jashtë.

Ulja e porosive ka sjellë rënien e xhirove, ndërsa rënia e euros ka rrënuar fitimet e eksportuesve. Burimet nga Shoqata e Eksportuesve thonë se një numër i konsiderueshëm punonjësish është shkurtuar gjatë periudhës korrik – gusht.

Fabrikat e mëdha kanë ndalur çdo punësim apo zëvendësim shtesë, teksa shumë njësi të vogla në rrethe që funksiononin si nën-kontraktore kanë mbyllur aktivitetin duke lënë shumë gra pa punë.

Në të njëjtën situatë si fasoni janë edhe shumë industri të tjera për eksport, të cilat janë përballur me humbje të konsiderueshme nga forcimi i lekut ndaj euros.

Në vjeshtën e këtij viti, euro rezulton gati 10% e nënçmuar ndaj lekut në krahasim me fillimin e vitit 2022.

Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, tha se rënia e eksporteve çdo muaj është dyshifrore dhe do vazhdojë e tillë dhe në muajt në vazhdim, dhe kursi i këmbimit është ndër shkaktarët kryesorë. Paga minimale në prill të këtij viti arriti në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që ishte në fillim të vitit 2022.

Zhvillimet negative në tregun e brendshëm u kombinuan për keq për rënien e porosive nga jashtë sidomos për këpucët, duke i kthyer përmbys zhvillimet në sektor që ishin në një klimë mjaft pozitive pas pandemisë Covid-19.

Eksportuesit janë të shqetësuar se ekonomia shqiptare është duke u bërë gjithnjë e më shumë jo konkurruese për sektorin e prodhimit. Humbjet e eksportuesve për shkak të kursit të këmbimit janë bërë të qëndrueshme, pasi rënia po vijon me ritme të larta nga viti në vit.

Në pranverën e vitit 2016, një euro kushtonte rreth 140 lekë. Që nga ajo kohë euro është nënçmuar ndaj lekut me 35%.

Fabrikat e fasonit më së shumti ofrojnë paga në nivelin e minimales, por ato punësojnë pjesën më vulnerabël të familjeve në zonat urbane dhe kanë ndikuar në fuqizimin ekonomik të gruas.

Gratë që po dalin të papuna nga fasoni janë në zona ku nuk ka një ofertë shumë të përshtatshme, pasi zhvillimet në turizëm janë të përqendruara në qytetet bregdetare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor