Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Mbrojtjes e akuzon zjarrfikësin si piromanin e Sazanit


Media Shqiptarja.com ka shpërndarë një video për të cilën thotë se është përcjellë nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes që sipas njoftimit të tyre një person është filmuar në këto pamje teksa ndizte zjarre në zonën e Sazanit.

Ministria e Mbrojtjes në njoftimin e akuzon si zjarrvënës ndërkohë që ai është zjarrfikës.

Sipas njoftimit që është shpërndarë nga zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, e dërguar gazetarëve privatisht, thuhet se Policia gjoja ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorin apo autorët e kësaj zjarrvënie që mori përmasa të mëdha.

Në video sipas Shqiptarja.com duket zjarrfikësi Luan Kapaj, i njohur për heroizmin e tij duke shpëtuar disa njerëz në rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po ndizte një zjarr të kontrolluar.

Një djegie e kontrolluar është një zjarr i vendosur qëllimisht për të hapur breza dhe për të penguar zjarrin e madh që të shpërndahet në të gjithë zonën. 

”Një video që dyshohet të jetë bërë nga punonjës të operacioneve të fikjes së zjarreve ka zbuluar një person që dyshohet të jetë autor njërës prej zjarrvënieve në ishullin e Sazanit. Policia bën me dije se ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorin apo autorët e kësaj zjarrvënnie që mori përmasa të mëdha. Nga videoja e siguruar, personi duket që del nga një vatër e sapondezur zjarri. Ende nuk dihen shkaqet që e kanë detyruar atë të ndërmarrë një veprim të tillë, por Kodi Penal në fuqi parashikon ndëshkime deri në 20 vite burg për autorët e djegies së qëllimshme të pyjeve dhe bimësisë në Shqipërië.
Konkretisht, neni 206/a i Kodit Penal, ndryshuar për herë të fundit në vitin 2013, parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe të çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale. Kur zjarrvënia është kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, nga pyll në kullotë, truall etj., parashikohet një dënim me burg nga 5 deri në 15 vjet. Ndërkaq, kur vënia e zjarrit të qëllimshëm ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg.”-
thuhet në mesazhin që Shqiptarja.com thotë që është shpërndarë nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes.