Vendosni fjalën kyçe....

Ulje e detyruar e avionit në Bjellorusi – Precedenti ‘Snowden’ e standardet e dyfishta të BE-së


BE-ja dhe NATO-ja janë zemëruar nga ulja e detyruar e një avioni civil në Minsk. Rusia, nga ana e saj, tregon për një incident që ndodhi në vitin 2013 kur Shtetet e Bashkuara donin të arrestonin Edward Snowden.

Çfarë ndodhi?

BE-ja ka njoftuar shtrëngimin e sanksioneve kundër Bjellorusisë: ndër të tjera, vendi do të izolohet nga trafiku ajror evropian. Shtetet e BE-së dhe aleanca ushtarake e NATO-s po bëjnë thirrje gjithashtu për një hetim ndërkombëtar lidhur me uljen e detyruar të një aeroplani Ryanair të dielën (05.23.2021), gjatë të cilit u ndaluan blogeri disident Roman Protasevich dhe partneri i tij.

Bjellorusia e kërcënoi avionin me një avion luftarak për ta detyruar atë të ulet në Minsk ndërsa ai ishte nisur nga Athina drejt Vilniusit e po kalonte në hapësirën ajrore bjelloruse, me Protasevich, i cili jeton në mërgim në Lituani, në bord. Autoritetet bjelloruse pretendojnë se motivi i uljes së avionit ishte një kërcënim për bombë nga organizata radikale islamike terroriste Hamas, një shpjegim që ka ngritur skepticizmin ndërkombëtar në dritën e arrestimit të Protasevich.

Në foto: Roman Protashevich

A ka pasur më herët një rast të ngjashëm?

Duke iu referuar incidentit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg foli për një incident të rrezikshëm dhe të papranueshëm dhe një rrëmbim nga shteti. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti incidentin në Twitter një ‘sulm ndaj demokracisë’.

Nga ana e saj, Rusia i përshkroi reagimet perëndimore si hipokrite dhe bëri një krahasim me uljen e avionit të Evo Morales në vitin 2013. Deri më sot, rrjedha e saktë e këtyre ngjarjeve nuk është plotësisht e qartë për shkak të deklaratave kontradiktore nga njerëzit e përfshirë.

Asokohe një aeroplan i presidentit të atëhershëm bolivian duhej të bënte një ulje të paplanifikuar në Austri kur u kthye nga Moska për të furnizuar me karburant, sepse Franca, Spanja dhe vendet e tjera të BE-së kishin mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin e Morales me nxitim.

Arsyeja: sipas informacionit amerikan, dyshohet se informatori Edëard Snowden, i akuzuar si ‘tradhtar’ në vendin e tij dhe i kërkuar nga ai, ishte në bord.

Pasi ish-agjenti i inteligjencës amerikane nuk u gjet gjatë një kontrolli në aeroplan, i miratuar ndoshta nga Morales, presidenti bolivian vazhdoi udhëtimin e tij. Natyra ligjore e incidentit u diskutua gjithashtu në atë kohë me Kombet e Bashkuara (KB) dhe Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), që kritikuan uljen e detyruar. Nga ana tjetër, politikanët evropianë hezituan të kritikojnë.

Shkelja e marrëveshjeve ndërkombëtare?

Në parim, sipas Konventës së Çikagos për Aviacionin Civil Ndërkombëtar, shtetet mund të urdhërojnë ulje të detyruara të avionëve. Por këto duhet të justifikohen dhe të shërbejnë për të shmangur një rrezik sigurie edhe më të madh se ai i një uljeje të paplanifikuar.

“Sipas raporteve, një aeroplan ushtarak iu afrua avionit tregtar. Kjo është gjithmonë një gjë e rrezikshme, sepse ka dy aeroplanë që fluturojnë shumë afër njëri-tjetrit dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.” – thotë Truxal, i cili është profesor i së Drejtës së Hapësirës Ajrore në Universitetin e Leiden (Holandë).

Ndalesa në Vjenë e avionit të Evo Morales në 2013 është ligjërisht e ndryshme, sipas ekspertit, ‘në kuptimin që nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë e fluturimit, as imagjinar dhe as të vërtetë’. Për dijeninë e tij, avioni ishte ndalur në Vjenë për të furnizuar me karburant sepse nuk kishte marrë autorizim nga disa vende evropiane për të fluturuar mbi territorin e tyre.

“Kjo është shumë e ndryshme nga ulja e një aeroplani në një situatë emergjente për shkak të një kërcënimi të supozuar të bombës.” – shtoi ai.

Franca, Spanja dhe vendet e tjera gjithashtu nuk do të kishin shkelur Konventën e Çikagos duke mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin e Morales, thotë Truxal. Kjo sepse avionët qeveritarë nuk janë të mbuluar nga Konventa e Çikagos dhe gjithmonë duhet të kërkojnë autorizim për të fluturuar mbi territorin e një vendi tjetër.

A zbaton BE standarde të dyfishta?

Ulja e detyruar e aeroplanit Ryanair në Bjellorusi është vetëm në një farë mase ligjërisht e krahasueshme me uljen e avionit të Morales në Vjenë në 2013. Sidoqoftë, në të dy rastet mund të ketë pasur shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe zemërimi i tanishëm në Perëndim duket pakrahasimisht më i madhe se atëherë.

Shumëllojshmëria e reagimeve evropiane është, nga njëra anë, e lidhur me kontekstin gjeografik të ngjarjes: në fund të fundit, aeroplani që u ul në Bjellorusi i përket një linje ajrore irlandeze që udhëton nga një vend Shengen në një tjetër, me shumë pasagjerë evropianë në bord .

Nga ana tjetër, kësaj here kishte pasoja më të mëdha në praktikë sepse, me të vërtetë, u krye një arrestim, ndërsa Edward Snowden nuk u gjet në aeroplanin e Morales.

Por nëse Snowden do kishte qenë brenda atij avioni, çfarë do kishte ndodhur? Pra, skandali ndoshta do të kishte qenë shumë më i madh dhe shtetet e BE-së do të ishin detyruar të pozicionoheshin më qartë për këtë çështje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *