Vendosni fjalën kyçe....

Rreziku që PD-ja të mbetet klikë


Nga Indrit Vokshi

Teorikisht e praktikisht, klikat nuk janë vetëm në pushtet. Ka klika të cilat formohen edhe në opozitë. Zyrtarisht me emër, në Shqipëri ka ekzistuar një organizatë me emrin “Klika” në parlamentin e viteve 1920-1924. Ka qenë klika e Esheref Frasherit dhe komplotistëve të tjerë e cila u shkërmoq prej Ahmet Zogut. Ndërsa jozyrtarisht, skenare klikash shkruhen herë pas here në politikën shqiptare.

Lypset të shpjegojmë këtu se çfarë konsiderohet klikë.

Klika është një grupim individësh, është organizëm, i cili çliron energji negative dhe fanatizëm. Klikasit shajnë këdo, sulmojnë me zell cilindo që nuk pranon versionin e tyre dhe nuk amplifikon retorikën e tyre. Kushti dallues i klikës, janë interesat e ngushta të saj dhe, klikasit, këto interesa të ngushta synojnë tua imponojnë të tjerëve, përmes agresivitetit, akuzave për imoralitet e për tradhti ndaj rrugës së tyre, akuzave për dorëzim dhe disfatizëm. Prandaj klikat zakonisht kanë sukses vetëm me atentate politike dhe me komplote, ndërsa kur nuk kanë mundësi për atentate dhe komplote, klikat mbeten pakicë, ngaqë interesat e tyre janë interesa pakice.

Fatkeqsisht, shenjat paralajmëruese të forcimit të klikës po duken edhe në PD. Për shembull, retorika dhe tentativa për t’i trembur anëtarët se në garën elektorale partiake, armiku kërkon të na përçajë, është retorikë klike. Përmes kujt po kërkon të na përçajë armiku? Përmes njerëzve si Agron Shehaj të cilët vetë me dorën e tyre i emëruan deputetë apo njerëzve si Fatbardh Kadilli që e mbajtën deputet dhe sekretar të lartë partie për vite me radhë? Apo si Edit Harxhi zv. ministre e jashtme? A paskan emëruar njerëz të armikut në parti e grup parlamentar dhe i paskan lënë akses armikut në radhët e tyre? Po pse i emëruan? Këtu ekuacioni prishet, perdja bie dhe shfaqet fytyra e klikës e cila sot të lavdëron, nesër të akuzon.

Për të qenë të vërtet, Klika mund të jetë edhe e domosdoshme për periudha të caktuara kohe, zakonisht pas krizave. Ta sqarojmë; e domosdoshme vetëm për ruajtjen e pozitës së liderit, për asgjë tjetër. Për shembull PD-ja u bë klikë pas krizës së vitit 1997 dhe ndejti klikë besnikësh të liderit deri në vitin 2003 pasi u firmos marrëveshja Nano-Berisha dhe nisi hapja. PD-ja u bë përsëri klikë pas humbjes së vitit 2013. U bë prej domosdoshmërisë së liderit për të forcuar veten. Mirëpo pasi lideri fuqizohet, smund të ketë më klikë, klika vjen në pushtet me komplote e atentate, jo me votë, nuk mundet të vijë me votë, sepse interesat rreth klikës janë të pamjaftueshme.

Që Rama ka blerë përqindje të pushtetit, kjo dihet. Them përqindje, pasi Partia Socialiste ka një elektorat tradicional. Strategjia ka qenë; në x qark, sa kemi votë tradicionale partie? 50 mijë. Sa na duhen për 6 mandate? Na duhen 56 mijë. Ka blerë me laps e letër 6 mijë votat që nevojiten.

Mirëpo nëse u shtron njerëzve pyetjen: “A janë blerë zgjedhjet? E nëse mendon se janë blerë, s’kemi faj ne si parti..”, kjo quhet taktike për të mos pranuar të diskutosh asgjë tjetër. Të mos diskutosh mbi strategjinë politike, mbi listën e deputetëve, mbi fushatën dhe të tjera drejtime. Ajo pyetje e përjashton mundësinë për t’i diskutuar sepse supozon se vetë opozita ishte 100% në rregull, pa asnjë gabim. Kjo është simptomë klike.

Duhet ta kujtojmë: Mandatet e para të mazhorancave, si mandati 1992-1996 i Berishës, si ai 1998-2001 i Nanos, si 2005-2009 i Berishës, si 2013-2017 i Ramës, kanë qenë mandate problematike për liderin e mazhorancës. Pse? Sepse për tu ngjitur në pushtet u është dashur të zgjerohen dhe të inkorporojnë individë dhe grupe interesi jo aq besnike. Dhe gjatë mandatit lindin përplasje ngaqë në mazhorancë nuk janë vetëm besnikët e liderit. Kështu pasi vjen në pushtet në mandatin e parë, lideri spastron, forcon besnikët e vet, mandatin e dytë e merr me besnikët e vet dhe e humb po me besnikët e vet sepse rrethi ngushtohet përsëri. Dhe nga ana tjetër vjen një opozitë e cila e ka zgjeruar rrethin me grupe interesi jashtë klikës së saj e cila merr pushtetin.

Ketë herë zgjerimi tek opozita nuk ndodhi dhe ekuacioni u prish. Mendimi se “Njerëzit janë mërzitur e do të na votojnë”, nuk doli i saktë, ngaqë sot njerëzit s’po funksionokan me mërzi e qejf por, po funksionokan me interesa. Edhe ai që e ka shitur votën, s’paska pasur interes më të madh në atë moment. Edhe ai i cili ka votuar ngaqë i është dhënë legalizimi, atë legalizim paska pasur si interes. Nuk kanë parë interesa më të mëdha.

Blerja nuk duhet harruar. Por nëse PD ngulet tek blerja, nëse mikun nga armiku, nëse besnikun nga tradhtari, nëse të moralshmin nga i pamoralshmi i ndan blerja dhe “përpara, të vazhdojmë kështu”, dhe nëse nxjerr në televizione 3-4 individë radikalë rishtarë të cilët me ketë fabul synojnë t’i forcojnë pozitat e tyre në parti, atëherë dakord, moralisht PD-ja do të jetë në rregull. Mirëpo do të mbetet Klikë. Dhe jo klikë e cila organizon atentate por klikë fetare e cila duhet t’i lutet Zotit që në zgjedhjet e tjera Edi Ramës t’i mbarohen apo t’i humbin lekët. Sepse klika në pushtet, ka mjetet, ka paratë, ka televizionet, ka bizneset, ka të fortët e fshatrave e qyteteve dhe i përdor për mbajtjen e pushtetit. Ndërsa klika në opozitë nuk ka asgjë përveç retorikës prej klike.

Si dilet nga strofulla e Klikës? Dilet me dy mënyra; ose duke rrëzuar vetë klikën ose, nëse kryetari i klikës, vetë lideri i PD, piloton me kujdes daljen prej kësaj strofulle, adoptohet me interesat e gjera dhe nga klikë transformohet në parti popullore. Partia Popullore e mund pushtetin vetëm me një formulë; masivitetin e votuesit.

Po përsëris shembullin e zbarkimit në Normandi. Hitleri kishte pak ushtarë në fortifikata por ishin të pathyeshëm për shkak të pozicioneve. Gjenerali aleat tha; të hedhim aq shumë ushtarë saqë sado të vrasin gjermanët, ushtarët tanë të arrijnë tek fortifikatat e atyre. Edhe lufta ndaj regjimit të Edi Ramës ka vetëm ketë formulë; të merren aq shumë vota, të bashkohen aq shumë interesa saqë sado të blejë qeveria, të dalin 100 vota tepër. Mirëpo kjo nuk arrihet kur vetëm një njeri prodhon mendim dhe vendim, ndërsa të gjithë të tjerët janë ekzekutorë me laptop. Kjo nuk arrihet nëse partia jeton e alienizuar në 5 kilometra katror rreth selisë. Arrihet nëse dëgjohen njerëzit e terrenit dhe merren parasysh analizat e atyre që i njohin skutat. Nëse merren parasysh mendimet e atyre që jetojnë me ketë vend, njohin mentalitetin e vendit, njohin rininë, jetojnë me të vërtetat bashkëkohore.

Nëse lidershipi nuk pranon propozime se nuk ka besim, nëse dehet nga 3-4 njerëz të paregjur, nëse shpreson tek fati, nuk ka përmbysje, sepse pushteti është diçka aq e rëndësishme sa nuk fitohet aq lehtë. Nëse nuk kupton se kauza morale ngjit për momentin tek lëvizjet e reja të tipit Vetëvendosje, jo tek partitë establishmet të cilat kanë thurur interesa në sistem prej 30 vitesh, përsëri s’ka hajër. Parti të tilla duhet të jenë të talentuara në strategji, se morali nuk i ngjet aq shumë. Nëse nuk kupton se ose duhen më të fortët në terren ose më ekselentët e të talentuarit në publik dhe se s’mund të zgjedhësh mesatarët dhe mediokrit e këtyre dy kategorive, përsëri s’ka hajër.

Njerëzit janë, kudo nëpër Shqipëri. Nëse askush nuk ka guxim, largpamësi dhe talent për ta kryer ketë transformim, PD-ja do të mbetet klikë edhe për disa vite.

Në fund të fundit mund të mbetet edhe klikë. Është shembur perandoria romake dhe popujt kanë vazhduar jetën e globi nuk e ka ndalur rrotullimin. Puna është pse të mbetet klikë, ngaqë kjo parti është ngritur dhe mbajtur me investimin fizik e mendor të mijëra shqiptarëve.

Si përfundim, fjalia më e vërtet që thuhet është ajo se PD mund të shihet si e vetmja garanci e instrument me të cilin shumica tjetër e shqiptarëve të mbrohen prej regjimit Rama. Ndaj përtej moralit, ky instrument, kjo ndërmarrje e përbashkët politike e gjysmës së shqiptarëve, duhet nxjerrë me fitim. A e nxjerrin a nuk e nxjerrin, kjo detyrë u mbetet atyre të cilët vetë demokratët i kanë votuar si udhëheqës dhe përfaqësues të interesave të tyre. Përndryshe, shqiptarët duhet të durojnë klikën strategjike e të talentuar socialiste e cila mund ta mbajë pushtetin gjatë, siç e mbajti 45 vjet. Dhe shqiptarët e brumosur me mite të njerëzve energjikë e të fortë, s’do ndjejnë aspak keqardhje për delikatët që ankohen dhe hidhen përpjetë, si vajzat kur shohin një mi në rrugë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *