Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Ministri i Jashtëm, turpi i të gjitha kohërave, hesht përballë ministres serbe


 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe që kanë shkaktuar debat në opinionin publik shqiptar dhe rajonal, duke kërkuar shpalljen e saj non grata dhe ngritjen e një padie.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë shqiptare për heshtje ndaj qëndrimeve të zyrtares serbe, duke e cilësuar këtë si një qëndrim vasal ndaj Beogradit.

Sipas tij, për sa kohë ministrja serbe vijon të mbajë postin, ajo përfaqëson qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Berisha kritikoi edhe mungesën e reagimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Dënoj heshtjen prej vasali dhe të turpshme të qeverisë shqiptare ndaj ministres së Beogradit,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se opozita e ka dënuar publikisht deklaratën e ministres serbe dhe ka kërkuar shpalljen e saj “non grata”, si edhe ngritjen e një padie.

“Deklarata e saj është dënuar me forcën më të madhe nga një deklaratë e paraqitur nga Floriana Garo. Ne kërkuam shpalljen e saj non grata dhe ngritjen e një padie. Ju garantoj një gjë, për aq kohë sa rri në atë karrige, ajo shpreh mendimin e padronit të Edi Ramës, Aleksandar Vuçiç. Të mbash një monstër si ajo në kabinet, e cila dëshmon se nuk u kompletua spastrimi etnik sipas operacionit ‘Patkoi’, do të thotë të kesh vetë atë qëndrim,” u shpreh Berisha.

Në vijim, ai sulmoi edhe ministrin e Jashtëm shqiptar.

“Dënoj heshtjen prej vasali dhe të turpshme të qeverisë shqiptare ndaj ministres së Beogradit. Ndërsa shpall ‘non grata’ qytetarë të Prizrenit apo deputetë të Maqedonisë së Veriut, në këtë rast nuk shpall ‘non grata’ ministren serbe. Edhe ministri i Jashtëm është turpi i të gjitha kohërave, që nuk guxon të thotë një fjalë për një ministre monstër. Kjo dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës, një qëndrim vasal ndaj Beogradit,” deklaroi kreu i PD-së.