Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Smart City, përgjigjja ndaj tragjedisë së “Fan Nolit”, algoritmi është rrugaçi në xhepin e fëmijëve


Kryeministri Edi Rama, gjatë inaugurimit të Qendrës së Monitorimit për projektin Smart City, deklaroi se ky projekt është përgjigjja institucionale ndaj vrasjes tragjike të një nxënësi pranë shkollës “Fan Noli”, duke theksuar se sistemi synon të parandalojë ngjarje të rënda përmes inteligjencës artificiale dhe monitorimit në kohë reale.

Rama tha se nuk e ka harruar tragjedinë, e cila sipas tij u politizua dhe u keqpërdor, ndërsa theksoi se një shtet matet nga mënyra se si reagon ndaj ngjarjeve të tilla.

“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi në shkollën ‘Fan Noli’, që krijoi një situatë konvulsive me politizimin ekstrem të ngjarjes dhe me gazetarinë e gjakut. Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Policia u vunë në qendër të akuzave. Unë nuk e kam harruar, sepse e kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt. Është përgjigjja ime ndaj asaj tragjedie,” u shpreh ai.

Sipas Ramës, faza e parë e projektit do të përfshijë 20 shkolla të përzgjedhura sipas numrit të nxënësve dhe nivelit të riskut, ndërsa më pas sistemi do të shtrihet në të gjithë vendin.

Kreu i qeverisë shpjegoi se sistemi nuk do të shërbejë vetëm për regjistrimin e ngjarjeve, por do të sinjalizojë rrezikun në kohë reale.

“Nëse një thikë del nga xhepi në cilindo vend publik, sistemi jep menjëherë informacion në qendrën e monitorimit. Nëse një person në kërkim sot ka shumë mundësi të fshihet, sistemi e bën të pamundur. Historia e makinave që bëjnë akte kriminale dhe gjenden të djegura nuk ndodh më, pasi sistemi e sheh makinën para se ajo të ndalet,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se kamerat e trupit të punonjësve të Policisë do të lidhen drejtpërdrejt me qendrën e monitorimit për të rritur transparencën dhe kontrollin gjatë komunikimit me qytetarët.

Në fund, Rama tha se pas ngjarjes në “Fan Noli” është shtuar angazhimi në shkolla me policinë, rojet e sigurisë dhe këshillat e prindërve, por vlerësoi se teknologjia do ta çojë parandalimin në një nivel tjetër.

“Sot, kur jemi në kohën e armikut të fëmijëve, rrezikut të rrugaçit të lagjes që është algoritmi, ky sistem do të na japë krah dhe do të fokusohet te bashkëpunimi me prindërit. Do të hartohet një protokoll nga Ministria e Arsimit për t’i mbajtur prindërit të informuar dhe qytetarët do të kenë një kanal të dedikuar komunikimi me sistemin Smart City për të raportuar shqetësimet e tyre,” përfundoi kryeministri.