Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: PS po e çon e vetme Reformën Territoriale, do ta kundërshtojmë me çdo mjet


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Partinë Socialiste se ka prishur dakordësinë për Reformën Territoriale, duke vendosur ta miratojë në mënyrë të njëanshme, pa konsensus me opozitën.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se procesi është ndërprerë, pasi sipas tij nuk kanë përfunduar konsultimet e parashikuara. Ai pretendoi se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar mazhorancën që ta çojë përpara reformën pa opozitën.

“Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike. Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat e parashikuara dhe të miratuara sipas rregullave. Zoti Boçi ka bërë një punë të shkëlqyer dhe serioze. Sapo ai kërkoi që komisioni i Reformës Territoriale të asistohej nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që është institucioni me ekspertizën më të madhe në këtë fushë, papritur gjërat ndryshuan. Edi Rama duket se urdhëron komisionin që të shkojë në mënyrë të njëanshme,” deklaroi Berisha.

Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se partia e tij mbetet kundër variantit të propozuar nga mazhoranca dhe paralajmëroi se do të përdorë të gjitha mjetet për ta kundërshtuar reformën.