Vendosni fjalën kyçe....

Vendimet e “çuditshme” të gjykatës – Kush është i riu i arrestuar në “Ali Dem” që u përfshi në përplasjen mes bandave në Vlorë


I riu që u arrestua sot në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, sipas policisë paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Taulant Manaj i njohur edhe si Taulant Beqiraj, ishte në kërkim për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

“Si rezultat i operacionit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u bë e mundur kapja e personit në kërkim:

– T. M., 29 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë më datë 18.09.2018 ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjylkatës së Apelit Vlorë, e cila ka vendosur masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në atë me “Arrest me burg” për  veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjykata në Vlorë duket të jetë treguar shumë e butë me Manajn në dy raste. Ai ishte përfshirë në shkurt të 2018-ës në një konflikt me armë mes dy bandave në Vlorë, por ishte lënë i lirë nga gjykata, e cila kishte caktuar masën “arrest shtëpie”.

Në qershor të 2018-ës, ai kishte thyer masën e arrestit në shtëpi, ndaj dhe u arrestua nga policia, teksa qarkullonte në Vlorë me armë zjarri pa leje. Edhe pse u arrestua për herë të dytë, ai u la sërish në “arrest shtëpie”.

Por më vonë, në shtator të vitit 2018, Gjykata e Vlorës vendosi ta rikthejë në burg Taulant Manajn, por ai arriti të arratisej derisa u arrestua në lagjen “Ali Demi” këtë fundjavë.