
Shqipëria hyn sot në ditën e 45-të të protestave qytetare, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë pa ndërprerje, pavarësisht temperaturave të larta dhe sezonit turistik.
Ashtu si në 44 ditët e mëparshme, edhe këtë mbrëmje protestuesit pritet të mblidhen para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.
Lëvizja, e cila nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec, është shndërruar në një protestë të përditshme me kërkesa më të gjera kundër qeverisë dhe klasës politike. Çdo mbrëmje, qytetarët marshojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta dhe duke përsëritur thirrjet që janë bërë simbol i protestës.
Edhe gjatë tubimit të një dite më parë, organizatorët theksuan se rezistenca do të vazhdojë gjatë gjithë verës, pa asnjë ndërprerje, deri në muajin shtator. Ata u bënë thirrje qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që të vijojnë pjesëmarrjen në protesta.
Në ditën e 44-t dominuan sërish thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”. Në podium folën aktivistë, përfaqësues të diasporës dhe qytetarë, të cilët kërkuan vazhdimin e protestës deri në përmbushjen e kërkesave të saj.
Sipas organizatorëve, zhvillimi i protestave çdo ditë gjatë sezonit veror është pjesë e strategjisë për të mbajtur të pandërprerë presionin ndaj qeverisë dhe për ta intensifikuar atë në muajt në vijim.
Me këtë mesazh, protesta hyn sot në ditën e saj të 45-të, ndërsa protestuesit pritet të rikthehen edhe një herë para Kryeministrisë, duke vijuar atë që e cilësojnë një rezistencë pa afat deri në largimin e qeverisë.