
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në formën e bashkëpunimit si “grup i strukturuar kriminal”.
Sipas njoftimit të PD-së, kallëzimi lidhet me atë që opozita e quan afera “Albanian Files”, ku pretendohet se nga përmbajtja e një libri me këtë titull zbardhet një skemë për përfitimin e lejeve të ndërtimit në këmbim të përfitimeve financiare.
Në kallëzim thuhet se, sipas pretendimeve të PD-së, Edi Rama, në cilësinë e Kryeministrit dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), përzgjidhte studio ndërkombëtare arkitekture, i vinte ato në kontakt me investitorë dhe ndërtues shqiptarë, të cilët më pas paguanin shuma të konsiderueshme për projektimin dhe përfitonin leje ndërtimi për kulla, pallate, hotele dhe resorte në Tiranë dhe në zonat bregdetare.
Partia Demokratike pretendon gjithashtu se kryeministri ka kërkuar përfitime të parregullta në favor të studiove ndërkombëtare të arkitekturës, duke kushtëzuar miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit. Sipas opozitës, këto veprime përbëjnë elementë të veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Në kallëzim, PD ngre edhe pretendimin se një pjesë e ndërtimeve shumëkatëshe janë përdorur si mekanizma për pastrimin e të ardhurave të krijuara nga veprimtari kriminale, kryesisht nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike. Sipas saj, kjo skemë është lehtësuar përmes dhënies së lejeve të ndërtimit, duke e cilësuar këtë si element të veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

