Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Behar Sofisë, SPAK urdhëron arrestimin e Jemin Sherajt



SPAK ka urdhëruar arrestimin e Jemin Sherajt, i cili akuzohet si urdhërues i vrasjes së Behar Sofisë. Urdhër arresti nuk është ekzekutuar ende.

Sipas gazetares Klodiana Lala, kamerat e sigurisë kanë zbuluar se Sheraj ulet në një tavolinë me Skënder Vathin, i dyshuar si organizator i vrasjes dhe më pas i jep një letër.

 “…Është bërë këqyrja e pjesshme e pamjeve filmike të DVR-së sekuestruar tek bar ‘Komiteti’ i cili ndodhet në kryqëzimin rruga ‘Fatmir Haxhiu’ me rrugën ‘Papa Gjon Pali II’.

Kjo këqyrje është kryer me objekt konstatimin e lëvizjeve të personit të ndaluar Skënder Vathi për datën 25.02.2021.

Gjatë këqyrjes është konstatuar se ky shtetas është shfaqur në këtë lokal rreth orës 08:26:48 sipas orës DVR-së e cila është një orë para orës lokale. Në orën 08:27:03 shtetasi i dyshuar ulet në tavolinë në prani të një shtetasi tjetër i njohur si Jemin Sheraj.”- thuhet në dosje.

Siç raporton “Balkanweb”, më pas Sheraj largohet nga lokali, ndërsa Skënderi vijon të qëndrojë në ambientet e brendshme edhe më.

Prokuroria posedon kamerat e sigurisë dhe dëshminë e bashkëpunëtorit, Ernejt Shytit, që pranon se fotografinë e viktimës ia dha shoku i fëmijërisë, Xhuljano Visha.

Ky i fundit ishte kontaktuar nga i afërmi i Vathit, Leonard Xhixha, një ish-i dënuar për vrasje me porosi të mbetur në tentativë dhe që bashkë me tre të tjerët, mbahet në paraburgim. Organizator i vrasjes deri në këtë fazë të hetimit është Skënder Vathi (i njohur si daja).

Kujtojmë se vrasja e Behar Sofisë në Tiranë ndodhi në shkurt të vitit të kaluar. Autori i dyshuar Ernejt Shyti hoqi rrobat që përdori në vrasje dhe i fshehu në afërsi të liqenit. Pasi u arrestua në Mal të Zi, Shyti vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë.