
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh nga lidhjet mes krimit të organizuar dhe pushtetit, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI-së, organizata ndërkombëtare e partive të qendrës së djathtë ku ai mban postin e zv/presidentit.
Berisha propozoi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për hetimin e karteleve të drogës, trafikut ndërkombëtar dhe lidhjeve të tyre me institucionet shtetërore.
“Shqipëria është një nga narko-shtetet më të fuqishme në botë. Ajo qeveriset nga organizata kriminale”, deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se ka humbur kontrollin mbi vendin.
Kreu i PD-së pretendoi se Shqipëria është kthyer në një nga eksportueset kryesore të kanabisit në Europë dhe se grupet kriminale shqiptare kanë rol të rëndësishëm në trafikun e kokainës drejt vendeve europiane.
Ai akuzoi gjithashtu se portet, lejet e ndërtimit dhe zonat bregdetare janë nën ndikimin e karteleve të drogës.
Berisha iu referua edhe protestave të fundit qytetare në Shqipëri, duke përmendur publikimin e një libri që, sipas tij, trajton qindra projekte të mëdha ndërtimore në zona të mbrojtura.
“Pushteti e konsideron vendin si çifligun e tij”, u shpreh ai, duke akuzuar qeverinë se po vendos për fatin e territorit pa transparencë.
Në fund të fjalës së tij, Berisha deklaroi se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira, por sipas tij “vetëm farsa elektorale”, duke kërkuar angazhim ndërkombëtar për situatën politike në vend.