Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 10 mijë persona kanë vdekur në Europë gjatë valës rekord të të nxehtit



Më shumë se 10 mijë persona kanë humbur jetën mbi nivelin e zakonshëm gjatë valës ekstreme të të nxehtit që përfshiu Europën Perëndimore në fund të qershorit, sipas të dhënave zyrtare të rrjetit EuroMOMO, të cituara nga Reuters.

Sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, një rrjet i mbështetur nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pjesa më e madhe e viktimave, mbi 9 mijë persona, ishin të moshës 65 vjeç e lart.

Ekspertët theksojnë se temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia ose të përkeqësojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, duke i bërë të moshuarit grupin më të rrezikuar.

“Që të kemi këtë nivel vdekshmërie të tepërt në këtë periudhë të vitit është e pazakontë. Është vërtet shumë e lartë”, tha Lasse Vestergaard, kryemjek në Institutin Shtetëror të Serumit në Danimarkë, që drejton EuroMOMO.

Sipas tij, është e vështirë të shpjegohet kjo rritje e pazakontë e vdekjeve me ndonjë faktor tjetër përveç temperaturave ekstreme.

Të dhënat përfshijnë statistikat e vdekshmërisë nga 27 vende europiane dhe përfshijnë të gjitha shkaqet e vdekjes, jo vetëm ato të lidhura drejtpërdrejt me vapën, për javën 22–28 qershor, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Francë, Spanjë, Britani dhe vende të tjera.

Shkencëtarët deklarojnë se nuk ka pasur faktorë të tjerë të mëdhenj, si shpërthime të COVID-19 apo ngjarje të tjera shëndetësore, që mund të shpjegojnë rritjen e numrit të vdekjeve në 10 650 gjatë asaj jave.

Në tetë javët para valës së të nxehtit, të njëjtat vende europiane kishin regjistruar mesatarisht rreth 500 vdekje më pak në javë sesa norma e zakonshme.

Vala ekstreme e temperaturave në fund të qershorit shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike, mbyllje shkollash dhe rekorde të reja temperaturash në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

EuroMOMO nuk publikon të dhëna të ndara për secilin shtet, por bëri të ditur se Franca dhe Belgjika ishin dy vendet europiane që regjistruan nivelin më të lartë të vdekshmërisë së tepërt në javën e fundit të qershorit.

Instituti belg i shëndetit publik, Sciensano, deklaroi se Belgjika pati nivelin më të lartë të vdekjeve të tepërta gjatë një vale të nxehti që nga viti 2000.

Ndërkohë, një studim i veçantë shkencor vlerësoi se rreth 2 700 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë në Angli dhe Uells gjatë valëve të të nxehtit në muajt maj dhe qershor. Sipas studimit, 42% e këtyre vdekjeve lidhen me rritjen shtesë të temperaturave të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.