
Drejtori ekzekutiv i Volkswagen, Oliver Blume, u ka bërë të ditur punonjësve se kompania mund të detyrohet të shkurtojë rreth 50 mijë vende të tjera pune, në përpjekje për të përballuar konkurrencën gjithnjë e më të fortë në tregun global të automjeteve.
Sipas një memorandumi të brendshëm të siguruar nga Reuters, kjo është hera e parë që konfirmohet se prodhuesi gjerman po shqyrton mundësinë e reduktimit të deri në 100 mijë vendeve të punës në total.
Blume po përpiqet të ristrukturojë prodhuesin më të madh të automjeteve në Evropë, i cili po përballet me rënie të fitimeve për shkak të kostove miliardëshe nga tarifat tregtare, konkurrencës së fortë në tregun kinez dhe nevojës për ta bërë më efikase rrjetin e fabrikave në Gjermani.
Pasi ka rënë dakord tashmë për eliminimin e 50 mijë vendeve të punës në grup, përfshirë filialet Porsche dhe Audi, kompania vlerëson se duhet të ulë edhe më tej kostot. Sipas memorandumit, Volkswagen ka një disavantazh prej rreth 20% në kosto krahasuar me kompanitë rivale.
Kjo, sipas dokumentit, nënkupton një “zbritje teorike” prej edhe 50 mijë vendesh të tjera pune në mbarë botën.
“Po vlerësojmë aktualisht në të gjitha markat, kompanitë dhe rajonet se sa rregullime janë realisht të nevojshme dhe të realizueshme,” thuhet në deklaratën e Blume.
Fabrikat në rrezik
Memorandumi vjen pasi përfaqësuesit e punëtorëve kërkuan sqarime mbi planet e ristrukturimit që Blume prezantoi para bordit mbikëqyrës të kompanisë.
Burime të njohura me çështjen thanë se përfaqësuesit e punonjësve në bord bllokuan propozimet, të cilat përfshinin shkurtime të vendeve të punës dhe mbylljen e mundshme të katër fabrikave.
Blume pranoi se, deri tani, kompania nuk ka gjetur modele biznesi konkurruese për fabrikat në Emden, Hanover, Zwickau dhe Neckarsulm gjatë dekadës së viteve 2030.
Megjithatë, ai theksoi se preferon “zgjidhje inteligjente” në vend të mbylljes së fabrikave, duke përmendur më herët si alternativa përdorimin e tyre për industrinë e mbrojtjes ose prodhimin në Evropë të modeleve kineze të Volkswagen.
Në deklaratën zyrtare pas mbledhjes së së enjtes me palët kryesore, Volkswagen nuk përmendi as shkurtime të vendeve të punës dhe as mbyllje fabrikash.
Në vend të kësaj, kompania njoftoi plane për të ulur më tej kapacitetet prodhuese dhe për të përgjysmuar gradualisht gamën e modeleve të saj, masa që analistët i konsideruan të pamjaftueshme për të zgjidhur vështirësitë aktuale të kompanisë.
Blume u tha punonjësve se jo të gjitha detajet janë finalizuar ende dhe se do të zhvillohen takime të tjera për të gjetur zgjidhjet më të përshtatshme.