
Dy shpërthime tronditën qendrën e Damaskut të martën, ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron zhvillonte një takim me Presidentin sirian Ahmad al-Sharaa në pallatin presidencial, përcjell Euronews.
Sipas mediave siriane, shpërthimet ndodhën pranë hotelit Four Seasons, ku raportohet se ishte akomoduar delegacioni francez. Në vendngjarje u pa një re e madhe tymi, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin një automjet të përfshirë nga flakët dhe njolla gjaku në rrugë.
Autoritetet siriane njoftuan se nga shpërthimet mbetën të plagosur 18 persona, mes tyre katër efektivë policie. Deri më tani nuk është raportuar për viktima.
Nga ana e tij, Pallati Elize konfirmoi se Emmanuel Macron nuk është lënduar dhe se vizita e tij në Siri po vazhdon sipas programit të parashikuar.
Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Macron mbërriti në Siri të hënën, në vizitën e parë të një kreu shteti nga Europa Perëndimore që prej ardhjes në pushtet të autoriteteve të reja siriane.
Sipas agjencisë shtetërore siriane SANA, vizita po zhvillohet së bashku me një delegacion biznesi dhe është përqendruar te çështjet e sigurisë rajonale, si edhe mundësitë për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Macron deklaroi se vizita synon të shprehë mbështetjen e Francës për popullin sirian.
“Kam ardhur për të shprehur angazhimin e Francës ndaj popullit sirian. Për një Siri sovrane, të bashkuar në diversitetin e saj dhe në paqe me fqinjët e saj. Së bashku, le të hapim një kapitull të ri stabiliteti dhe paqeje”, shkroi presidenti francez.