Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Vorës: Një i moshuar po vret qentë e rrugës, institucionet nuk ndërhyjnë



Banorë të Vorës kanë ngritur alarmin për një rast të rëndë të dhunës ndaj kafshëve, duke pretenduar se një i moshuar dhunon dhe vret në mënyrë sistematike qentë e rrugës, përfshirë edhe këlyshë të vegjël.

Në videot e mbërritura në redaksinë e JOQ të cilat përmbajnë pamje tepër të rënda, shihet një i moshuar duke goditur vazhdimisht një qen me një shkop, derisa kafsha mbetet pa shenja jete. Në një moment, një qytetare përpiqet të ndërhyjë për ta shpëtuar kafshën, por, sipas pamjeve, personi dhunues bëhet agresiv dhe kërcënon edhe ata që tentojnë ta ndalojnë.

“Janë vetëm disa nga rastet që kemi parë. Ka vrarë edhe këlyshë të vegjël me gurë. Kemi shkuar në polici, por na është thënë se nuk mund të bëhet gjë pasi personi ka probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë ai vazhdon të vrasë qentë dhe t’i lërë të ngordhur aty. Jetojmë çdo ditë me frikë dhe me këtë tmerr para syve,” shprehen banorët.

Nëse pretendimet e qytetarëve janë të vërteta dhe personi në fjalë vuan nga probleme të shëndetit mendor, kjo nuk mund të jetë arsye për të mos vepruar. Përkundrazi, është një arsye më shumë që institucionet kompetente të ndërhyjnë menjëherë, të marrin masat e nevojshme për trajtimin e tij dhe të garantojnë sigurinë e kafshëve, dhe të komunitetit.

Dhuna e vazhdueshme ndaj kafshëve nuk është një fenomen që duhet nënvlerësuar. Ajo është një sinjal serioz alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm. Sot viktima janë kafshët e pambrojtura, ndërsa nesër rreziku mund të prekë edhe njerëzit.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe çdo institucioni përgjegjës të ndërhyjnë me urgjencë dhe të marrin masa të menjëhershme për këtë ngjarje të rëndë, e cila, sipas denoncimeve të banorëve, duket se është kthyer në një realitet të përditshëm në Vorë.