
Në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u bëri thirrje magjistratëve që të mbeten të përkushtuar ndaj ligjit dhe të mos ndikohen nga presioni i opinionit publik.
“Media, rrjetet sociale dhe teknologjia do të vijojnë të ndryshojë. Detyra e magjistratit, megjithatë, mbetet e njëjtë.
Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë atij. Ju do të merrni vendime për t’i shërbyer ligjit”, tha Sadushi.
Duke u ndalur te rëndësia e besimit të qytetarëve tek drejtësia, kreu i Gjykatës së Lartë nënvizoi se ky besim ndërtohet përmes profesionalizmit të magjistratëve.
“Besimi ndërtohet gradualisht, me mënyrën si i dëgjoni njerëzit, me sjelljen në sallën e gjyqit, me cilësinë e arsyetimit, me dinjitetin e qëndrimit dhe me aftësinë për të qenë të drejtë edhe kur kjo është e vështirë.
Kur një magjistrat fiton këtë besim, ai nuk forcon vetëm autoritetin e tij. Ai forcon edhe institucionin që përfaqëson.
Kështu ndërtohet, brez pas brezi, besimi tek drejtësia”, tha Sadushi duke përmbyllur se sistemi jep kompetencën, por besimin duhet ta fitojnë vetë.