
Një takim informal mes presidentëve të Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Rumanisë është zhvilluar në rezidencën presidenciale në Jurata, me ftesë të presidentit polak Karol Nawrocki, përcjell Euronews.
Sipas Zyrës Presidenciale të Polonisë, bisedimet janë fokusuar në përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara, si dhe në koordinimin e qëndrimeve të përbashkëta për çështjet e sigurisë në rajon.
Në qendër të diskutimeve kanë qenë forcimi i krahut lindor të NATO-s, zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse të Evropës dhe bashkëpunimi në kuadër të nismave si “Bucharest Nine” dhe “Three Seas Initiative”. Po ashtu, janë trajtuar edhe çështje të infrastrukturës energjetike dhe transportit, si dhe sfidat më të mëdha me të cilat përballet Bashkimi Evropian.
Para takimit, liderët vizituan edhe portin detar në Gdynia.
Gjatë bisedimeve është diskutuar edhe për marrëdhëniet mes Polonisë dhe Ukrainës, të cilat janë tensionuar kohët e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve historike. Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar mes palëve, nëse kjo kërkohet nga të dyja qeveritë.
Nausėda theksoi se, pavarësisht çështjeve të së kaluarës, prioritet mbetet situata aktuale e sigurisë në Evropë, në kontekstin e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe sfidave për stabilitetin rajonal.