Vendosni fjalën kyçe....

Meta kërkon ekspertizë të re financiare në GJKKO: Kam pasur vetëm të ardhura nga shteti, të llogariten edhe dietat


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kryerjen e një ekspertize të re financiare për pasurinë dhe të ardhurat e tij, duke kundërshtuar përllogaritjet e deritanishme të organit të akuzës.

Gjatë seancës gjyqësore, Meta deklaroi se gabimet në llogaritjen e pasurisë së tij nuk janë të rastësishme dhe kërkoi që për rastin e tij të përdoret e njëjta metodologji që është aplikuar për prokurorët dhe gjyqtarët në procesin e vettingut.

“Kërkoj që metodologjia që është përdorur për prokurorët dhe gjyqtarët të përdoret edhe për mua. Kam qenë deputet që në moshën 22-vjeçare, me një nga pagat më të larta të shtetit. Kam qenë ministër i Jashtëm dhe kam kaluar qindra ditë jashtë vendit, duke përfituar dieta që nuk janë llogaritur fare,” u shpreh Meta.

Ai kundërshtoi argumentin se dietat janë konsideruar si shpenzime të kryera automatikisht gjatë udhëtimeve zyrtare.

“Është absurde t’i thuash një ministri të Jashtëm apo një presidenti që dietat i ka shpenzuar detyrimisht. Në këto funksione shtetërore gjithçka është e organizuar dhe e mbuluar nga institucionet pritëse,” tha ai.

Meta kërkoi një ekspertizë të pavarur financiare, si për periudhën e tij individuale, ashtu edhe për periudhën kur ka qenë i martuar, duke kërkuar që të merren në konsideratë të gjitha të ardhurat e ligjshme të dokumentuara.

“Kërkoj ekspertizë individuale dhe si familjar për periudhën që kam qenë bashkëshort. Të verifikohet çdo e ardhur e ligjshme që kam pasur dhe që rezulton në dokumentet zyrtare të shtetit,” deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Meta theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij politike ka jetuar me të ardhurat e përfituara nga funksionet publike.

“Jam Ilir Meta. Emri im është fuqia ime. Nuk kam cenuar kurrë interesin kombëtar, publik apo personal të askujt. Kam njohur vetëm pagën e shtetit dhe me atë kam jetuar,” u shpreh kreu i Partisë së Lirisë.