Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Metës: Kanë kaluar 20 muaj nga arrestimi, Shatku përmendet 327 herë në dosje dhe nuk është thirrur


Avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, deklaroi pas seancës në GJKKO se ish-presidenti ka kërkuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj tij.

Sipas Cakranit, kërkesa për dëshminë e Ramës është bërë që në momentin kur Metës i është komunikuar akuza.

“Ne nuk po thërrasim Edi Ramën si individ, por kryeministrin dhe kreun e Partisë Socialiste. Këtë kërkesë e kemi bërë që kur zotit Meta iu komunikua akuza. Kemi kërkuar gjykim të zakonshëm dhe do të shohim nëse gjykata do ta pranojë,” u shpreh ai.

Duke komentuar momentet e tensionit gjatë seancës dhe debatin mes Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, Cakrani tha se reagimi i Metës lidhet me faktin se në dosje përmendet shpesh emri i Fatjon Shatkut, kushëri i Kryemadhit.

“Nuk duhet ta trajtojmë si një zënkë. Ishte një moment kur u përmend Shatku, një dëshmitar kyç. Ai përmendet 327 herë në dosje dhe nuk është thirrur asnjëherë. Kjo krijon dyshime dhe perceptimin e një komploti,” deklaroi avokati.

Ai shtoi se Meta vazhdon të ketë pikëpyetje për arsyet e mbajtjes së tij nën masë sigurie.

“Kanë kaluar 20 muaj e 2 ditë dhe ende nuk dihet pse po mbahet në këtë situatë. Pati tension dhe ngritje zëri nga Meta, sepse ai mendon se Shatku ka komplotuar kundër tij,” tha Cakrani.

Më tej, avokati theksoi se sipas tij as Monika Kryemadhi dhe as Fatjon Shatku nuk qëndrojnë pas ndonjë komploti, duke përmendur emra të tjerë si përgjegjës për situatën e krijuar.

“As Kryemadhi dhe as Shatku nuk kanë bërë komplote. Sipas bindjes së Metës, pas kësaj qëndrojnë McGonigal, Altin Dumani dhe Yuri Kim,” deklaroi ai.

Cakrani bëri të ditur gjithashtu se Meta ka kërkuar thirrjen si dëshmitar edhe të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

“Meta ka kërkuar edhe McGonigal si dëshmitar, pasi ka dyshime se ai ka qenë në Shqipëri në vitin 2017. Sipas tij, që nga momenti kur mori detyrën e Presidentit të Republikës nisi një sulm i organizuar ndaj tij,” përfundoi avokati.