Ministri i Financave i Holandës është thirrur në një interpelancë parlamentare lidhur me kompanitë e regjistruara në atë vend që lidhen me investimin e debatueshëm në Zvërnec.
Analistja Brisida Shehaj, ka publikuar në rrjetet sociale dokumentin përkatës, ku sipas saj ngrihen një sërë pyetjesh mbi strukturën dhe aktivitetin e këtyre kompanive.
Shehaj thekson se një nga çështjet më të rëndësishme që ngrihet në interpelancë është bashkëpunimi i mundshëm i autoriteteve holandeze me SPAK-un për hetimin e këtyre kompanive “guackë”.
“Sipas dokumentit atij do t’i drejtohen disa pyetje, dhe interesante është pyetja numër 5, ku i kërkohet nëse është i gatshëm të bashkëpunojë me SPAK në mënyrë proaktive për të hetuar këto kompanitë guackë,” shkruan Shehaj.
Ajo vëren se në Holandë një ministër thirret për të dhënë llogari për një investim të realizuar në Shqipëri vetëm për faktin se kompanitë përkatëse janë të regjistruara në territorin holandez dhe kritikon qëndrimin e qeverisë shqiptare, që kërkesat e opozitës për interpelanca mbi çështjen e Zvërnecit janë refuzuar vazhdimisht.
“Pra Ministri i Financave i qeverisë holandeze është thirrur të japë llogari për një investim në Shqipëri vetëm sepse kompanitë janë të regjistruara atje. *Kurse në Shqipëri, qeveritarët tanë me në krye Edi Ramën refuzojnë të gjitha interpelancat që kërkojnë deputetët e opozitës,” deklaron Shehaj.
