Vendosni fjalën kyçe....

Elisa Spiropali kërkon publikisht pastrimin e Partisë Socialiste


Deputetja, Elisa Spiropali, ka bërë thirrje publike për vetëpastrim dhe reformim të Partisë Socialiste, duke theksuar se forca politike në pushtet duhet të bëhet më e hapur, më demokratike dhe më meritokratike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se “Marrëveshja e Re për Shqipërinë” do të vijë, një tezë që ajo e hodhi publikisht disa ditë më parë, në kulmin e debatit politik të shkaktuar nga protestat kundër projektit të Zvërnecit.

“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë. Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane,” shkruan Spiropali.

Në mesazhin e saj, ajo thekson se për të arritur këtë objektiv, vetë Partia Socialiste duhet të kalojë përmes një procesi reflektimi dhe reformimi të brendshëm.

“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe,” shprehet Spiropali.

Deklarata e saj vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama ironizoi publikisht thirrjet për një “Shqipëri të Re”, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.

Pa e përmendur drejtpërdrejt Spiropalin me emër, Rama foli për “disa shpirtra të humbur” brenda Partisë Socialiste që kërkojnë një Shqipëri të re.

“Ka dhe disa shpirtra të humbur në partinë tonë, që duan një Shqipëri të re. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë,” tha Rama.

Kryeministri e krahasoi idenë e “Shqipërisë së Re” me sloganet dhe simbolikën e përdorur në protestat e fundit kundër projektit në Zvërnec, duke lënë të kuptohet se e konsideron atë një koncept të paqartë politik.

Ndërkohë, Spiropali këmbëngul se transformimi i vendit nuk mund të arrihet pa një transformim të vetë forcës qeverisëse.

“Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin,” shkruan ajo.