Vendosni fjalën kyçe....

Programi “Pas Shkolle” zgjerohet në 500 shkolla nga shtatori, Ministria: Nxënësit do të vazhdojnë të marrin ushqimin nga shtëpia


Programi “Pas Shkolle” do të zgjerohet duke nisur nga shtatori në 500 shkolla fillore në të gjithë vendin.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila thekson se projekti synon të ofrojë më shumë mbështetje për nxënësit përmes aktiviteteve arsimore, sportive, artistike dhe kulturore.

Zv.ministrja e Arsimit, Herida Duro, tha se zgjerimi i programit do të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit dhe do të përfshijë një gamë më të gjerë klubesh dhe aktivitetesh.

“Rreth 500 shkolla do të jenë pjesë e programit ‘Pas Shkolle’, me klube më të zgjeruara, më të larmishme, por mbi të gjitha edhe me modulin e të bëjmë detyrat e shtëpisë, që është një nga ndihmesat kryesore në rritjen e performancës së nxënësve,” u shpreh Duro.

Sa i përket ushqimit për fëmijët, Ministria ka bërë me dije se, ndryshe nga premtimet e mëparshme, nxënësit do të vijojnë ta marrin atë nga shtëpia. S

ipas zyrtarëve, mungesa e infrastrukturës së nevojshme në shkolla e bën të pamundur ofrimin e vakteve brenda institucioneve arsimore.

“Prindërit mund t’i përgjigjen shumë më mirë nevojave dhe kërkesave personale të fëmijëve të tyre, ndaj do të vijohet me marrjen e ushqimit me vete nga të gjithë fëmijët. Kjo është tashmë një praktikë e pranuar dhe e dakordësuar gjerësisht me prindërit,” tha Duro.

Përveç ndihmës në përgatitjen e detyrave, programi do të përfshijë klube të muzikës, teatrit, kërcimit, artit dhe zejeve tradicionale. Në realizimin e tij do të angazhohen mësues, specialistë të fushave të ndryshme, por edhe mësues në pension.

“Duam që ekspertë të teatrit, muzikës, kërcimit, zejeve dhe fushave të tjera të dijebërjes të bëhen pjesë e programit dhe të kontribuojnë në shkolla sipas specifikave të çdo rajoni,” shpjegoi zv.ministrja.

Sipas Ministrisë së Arsimit, financimi i projektit arrin në 5 milionë euro. Fondet do të përdoren për pagesën e mësuesve dhe specialistëve të angazhuar, si dhe për pajisjen e shkollave me materialet dhe mjetet didaktike të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve.a