
Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar me një mesazh të fortë publik, të drejtuar ndaj grupit të njohur si “Bajrat e Shkodrës”.
Në deklaratën e saj, Koçeku thekson se çdo cenim ndaj familjes së saj do të përballet me reagim të ashpër personal.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën,” citohet të ketë thënë ajo.
Deputetja e zgjedhur në radhët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, Marjana Koçeku, ka njoftuar largimin nga grupi parlamentar socialist, duke deklaruar se nga kjo moment është deputete e pavarur.
Në një reagim publik, Koçeku thekson se vendimi i saj lidhet me parimet dhe bindjet personale, të cilat sipas saj kanë ekzistuar para angazhimit në parti politike.
“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë,” është shprehur ajo.
Pas debatit të krijuar rreth kësaj lëvizjeje politike, deputetja ka reaguar më tej me një deklaratë të fortë ndaj mazhorancës, duke e akuzuar se i ka kufizuar ushtrimin e mandatit të saj për një periudhë të gjatë.
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet,” deklaroi Koçeku.
Ajo ka sfiduar gjithashtu Partinë Socialiste dhe shumicën parlamentare, duke i kërkuar të provojnë forcën e tyre politike përmes zgjedhjeve të parakohshme.
“Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni Parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka,” u shpreh ajo.
Në vijim, Koçeku shtoi me tone ironike se do të vijojë angazhimin e saj politik edhe në terren, duke përmendur kandidimin në Tiranë dhe identitetin e saj malësor.
“Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde,” tha ajo.
Largimi i Koçekut nga grupi parlamentar socialist ka hapur debat në skenën politike, ndërsa ajo ka theksuar më herët se “prej sot jam deputete e pamvarun”, duke konfirmuar shkëputjen nga grupi i Partisë Socialiste.