Vendosni fjalën kyçe....

Ema Ndoja i bashkohet protestës në Tiranë, aktorja e njohur shfaqet mes qytetarëve


Aktorja e njohur e kinemasë shqiptare, Ema Ndoja, i është bashkuar gjithashtu protestave që po zhvillohen në Tiranë të cilat shënuan ditën e djeshme të 13-tën rradhazi.

Një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar në fundin e viteve ’80, Ndoja është pjesë e brezit të aktorëve që kanë lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare. Prej shumë vitesh ajo jeton në Gjermani, larg jetës publike dhe vëmendjes mediatike në Shqipëri.

Prania e saj në protestë ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe pjesëmarrësve, teksa tubimet kundër qeverisë vijojnë prej ditësh në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit.

Rrugëtimi i saj publik ka njohur edhe momente afërsie me Partinë Socialiste në të kaluarën. Në vitin 2013, Ema Ndoja ishte mes figurave publike që mbështetën Edi Ramën në rrugëtimin e tij drejt pushtetit. Megjithatë, prania e saj sot në protestë shihet nga shumë pjesëmarrës si një qëndrim personal dhe qytetar.

Në protestat e ditëve të fundit janë parë të marrin pjesë artistë, intelektualë, profesionistë dhe qytetarë të shumtë, të cilët shprehin pakënaqësitë e tyre për çështje të ndryshme dhe kërkojnë ndryshime në vend.

Pjesëmarrja e Ema Ndojës është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë vlerësuar praninë e saj në mesin e protestuesve.