Vendosni fjalën kyçe....

Pas miratimit të IBAR-it, Gjermania rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi në Berlin takime me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, dhe sekretaren parlamentare të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë, Annette Kramme, ku në fokus ishte ecuria e reformës në drejtësi pas miratimit të IBAR-it.

Takimet u zhvilluan në një moment kyç për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pasi vlerësimi pozitiv i partnerëve europianë i hap rrugë vendit drejt fazës së mbylljes së Kapitullit 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

Gjatë bisedimeve, palët theksuan se miratimi i IBAR-it nuk përbën fundin e reformës, por hyrjen në një fazë të re, të fokusuar te rezultatet konkrete.

“Nuk e trajtojmë IBAR-in si kurorëzim të punës, por si autorizim për të vazhduar me fazën që kërkon më shumë. Gjermania ka qenë dhe mbetet partner strategjik në këtë rrugëtim”, deklaroi Gogu.

Nga ana e tij, Krichbaum ritheksoi se mbështetja gjermane për Shqipërinë mbetet e fortë, por theksoi se përparimi do të vlerësohet mbi bazën e rezultateve të matshme, veçanërisht në pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar tre prioritete kryesore për fazën aktuale: rritjen e aksesit në drejtësi, përmirësimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave procedurale.

Si një nga rezultatet konkrete të reformës, u vlerësua ulja e ndjeshme e stokut të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, një tregues i përmirësimit të administrimit gjyqësor në vend.

Në takimin me Annette Kramme u diskutua gjithashtu forcimi i bashkëpunimit shqiptaro-gjerman në fushën e drejtësisë, me fokus te dixhitalizimi i sistemit gjyqësor, administrimi i gjykatave dhe përgatitja për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.

“Suksesi i reformës në drejtësi nuk do të matet nga numri i institucioneve të krijuara, por nga besimi që qytetarët kanë te drejtësia”, u shpreh Gogu.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, faza e ardhshme do të fokusohet në përmbushjen e standardeve për mbylljen e Kapitullit 23, me theks te aksesi në drejtësi, efikasiteti gjyqësor dhe dixhitalizimi i shërbimeve.