Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të grabiste një pikë këmbimi valutor me armë lodër në Shkozë, arrestohet autori



Një tentativë grabitjeje është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku objektiv i autorit ka qenë një pikë këmbimi valutor.

Sipas informacioneve paraprake, i dyshuari ka tentuar të kryejë grabitjen, por është neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e policisë menjëherë pas ndërhyrjes në vendngjarje.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, efektivët kanë gjetur një armë lodër, e cila dyshohet se është përdorur për të kërcënuar punonjësit e pikës së këmbimit valutor gjatë tentativës së grabitjes.

Burime paraprake bëjnë me dije se nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e policisë bëri të mundur parandalimin e vjedhjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse i arrestuari ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë. Ndërkohë, pritet një njoftim zyrtar me detaje të mëtejshme lidhur me rastin.