Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria zgjidhet Presidente e Forest Europe, Rama: Një tjetër sukses i rëndësishëm diplomatik


Shqipëria është zgjedhur me votë unanime nga 45 vendet anëtare si Presidente e organizatës Forest Europe për periudhën 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Me këtë presidencë, Shqipëria do të drejtojë axhendën politike dhe organizimin ministerial lidhur me diskutimet për sektorin e pyjeve.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjes së Shqipërisë si presidente e organizatës Forest Europe për periudhën 2026-2030, duke ironizuar kundërshtarët e projektit në Zvërnec dhe akuzat e ngritura ndaj qeverisë për dëmtimin e mjedisit.

Në reagimin e tij, Rama kritikoi protestuesit dhe zërat që kundërshtojnë projektin në Zvërnec, duke i cilësuar pretendimet për shkatërrimin e pyjeve dhe teoritë mbi përdorimin e zonës si të pabazuara.

Ai theksoi se mbështetja unanime e 45 vendeve anëtare për Shqipërinë në krye të Forest Europe dëshmon besimin ndërkombëtar ndaj politikave të vendit në fushën e mjedisit dhe pyjeve.

“Përsëri Shqipëria nderohet në Europë.

Çudi e madhe ëëë…

Shqipëria e tradhtarëve sapo u zgjodh me votë unanime të 45 vendeve anëtare, si Presidente e Forest Europe (Europa e Pyjeve) për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Po si ka mundësi, që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit për ta kthyer në geto palestinezësh të spastruar etnikisht nga Gaza, ta mbështesin fuqimisht Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet më në fund pa asnjë kundërshtim, nga asnjë vend anëtar?!

Forest Europe është platforma më e rëndësishme pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve, që bashkon 45 shtete evropiane dhe Bashkimin Evropian për të përcaktuar drejtimet strategjike të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetit pyjor, klimës dhe ekonomisë së gjelbër.

Iku kjo botë, madje u prish dynjaja, se u bashkuan në Shqipëri Trumpi me Sorosin që të bëjnë “Shqipërinë e shqiptarëve” me hormone transgjenitale, me një ishull izraelit në tokë e një në det, me zëvendësim të pelikanëve me palestinezë, ku kulmi i degjenerimit është partneriteti i tyre me Katarin, që në Zvërnec do vihet në shërbim të Izraelit paçka se në Gjirin Arabik nuk e shohin me sy njëri-tjetrin… Dhe kush i bën të tëra këto, tradhtari në kryeministri që ku t’i ketë robt e shpis o ej, o ej, o ej, se paska qenë Satanai vetë.

Deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj organizate, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve, e duke u rritur në kompetenca e në reputacion përmes kësaj eksperience fantastike.

Ky është një tjetër  sukses i rëndësishëm diplomatik, që e forcon më tej profilin ndërkombëtar të vendit dhe rrit rolin e Shqipërisë në diplomacinë mjedisore, duan s’duan ata që s’duan, qofshin ata të “Shqipërisë së shqiptarëve”, e qofshin ata që i përdorin si kukulla të pavetëdijshme, duke ua bërë flakë TikTokun me raketat e luftës hibride të manipulimeve online”, shkruan Rama.