Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i sigurisë së Vatikanit jep dorëheqjen pas skandalit financiar


Shefi i sigurisë së Vatikanit, i cili ka shërbyer si truproja kryesore e Papa Françeskut, dha dorëheqjen ditën e hënë pas një publikimi lidhur me një hetim financiar në qytetin e shenjtë.

Largimi i Domenico Giani, 57 vjeç, erdhi pas një fletushke të policisë së Vatikanit, ku identifikoheshin pesë punonjës të Vatikanit, të cilët ishin “pezulluar paraprakisht” si pjesë e një hetimi financiar, që u botua në mediat L’Espresso dhe La Repubblica.

Vatikani tha që njoftimi dëmtoi dinjitetin e punonjësve dhe policinë e Vatikanit.

Gianni u ka shërbyer tre papave, duke përfshirë këtu dhe Papën Benedikti XVI, në 20 vitet e tij me shërbimet e sigurisë së Vatikanit, shkruan Fox News.

Ai shpesh mund të shihej duke vrapuar krah automjetit të papës, gjatë udhëtimeve dhe shfaqjeve të huaja.

“Gjithmonë kam thënë se do të isha i gatshëm të sakrifikoja jetën time për të mbrojtur Papën, sot mora vendimin të jap dorëheqjen me të njëjtën frymë, dhe të mos dëmtoj në asnjë mënyrë imazhin dhe aktivitetet e Papës,” i tha Giani mediave në Vatikan.

Njoftimi i 2 tetorit iu dërgua rojeve zvicerane dhe anëtarëve të forcës policore të xhandarëve. Pesë fytyrat, emrat dhe pozicioni i punës u shfaqën në fletushkën, që ngjante me një poster.

Giani nuk mori përgjegjësi për incidentin, por dha dorëheqjen për të shmangur ndërprerjen e hetimit duke arsyetuar se po e bënte “nga dashuria për kishën dhe besnikëria” ndaj Papës.

Agjentët e tij bastisën dy zyra të Selisë së Shenjtë – sekretariati i shtetit dhe njësia e inteligjencës financiare e Vatikanit – si pjesë e hetimit mbi parregullsitë financiare në lidhje me një marrëveshje të pasurive të patundshme në Londër, e cila rezultoi në humbjen e dhjetëra miliona dollarëve.

Bastisjet dhe pezullimi ishin pjesë e përpjekjeve për të rikuperuar disa nga paratë e humbura. Marrëveshja ka ndezur dyshime në lidhje me financat e errëta të Vatikanit dhe keqmenaxhimin financiar gjatë papatit të Benediktit.

Papa Françesku kohët e fundit urdhëroi shkurtime për të lehtësuar një deficit strukturor prej 77 milionë dollarë.

Sipas “Reuters”, Papa Françesku ishte i mërzitur për publikimin sepse pesë punonjësit e tij ishin prezantuar në një mënyrë të tillë edhe pse ata nuk ishin zyrtarisht të dyshuar për asgjë.

Një hetim mbi marrëveshjen e pasurive të patundshme u hap pasi Vatikani mori ankesa nga banka e Vatikanit, e njohur si Instituti për Punët e Fesë, dhe zyra e auditorit të përgjithshëm kundër “personave të panjohur”.

Agjensia e lajmeve Reuters raportoi se Sekretariati i Shtetit kishte tentuar të blinte një partner të një ndërtese në Londër që e kishin blerë vite më parë si një investim, në mënyrë që të mund të fitonte kontroll të plotë mbi pronën.

Sekretariati kërkoi për një kredi afatshkurtër prej rreth 165 milionë dollarë. Kërkesa e huasë u refuzua dhe banka e Vatikanit dhe auditori i përgjithshëm i bënë ankesa kryeprokurorit të Vatikanit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *