Vendosni fjalën kyçe....

Deti i trazuar u merr jetën dy të rinjve nga Kosova, plagosen tre të tjerë


Policia ka konfirmuar vdekjen e dy të rinjve nga Kosova si dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Sipas bluve, pesë të rinjtë ishin futur në ujë në plazhin e Ranës së Hedhun por kanë hasur vështirësi për shkak të detit me dallgë.

Pas ndërhyrjes së qytetrëve me Jet Ski, ata janë nxjërrë nga uji dhe janë dërguar në spitalin e Lezhës ku dy kanë humbur jetën ndërsa tre të tjerë kanë marrë ndihmën mjekësore.

Njoftimi i policisë

“Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”