
Një rritje e të shtënave dhe shpërthimeve të lidhura me bandat kriminale gjatë dekadës së fundit, dhjetëra prej të cilave janë kryer nga të mitur, e ka veçuar Suedinë nga vendet e tjera evropiane dhe i ka lënë autoritetet përballë një problemi urgjent: çfarë të bëjnë me fëmijët që vrasin.
Qeveria, në pushtet që nga viti 2022 dhe që po shkon drejt një gare të ngushtë zgjedhore në shtator, ku kriminaliteti është një nga çështjet kryesore, thotë se qasja e butë e së kaluarës ka dështuar dhe se ka ardhur koha për masa më të ashpra, duke dërguar në burg fëmijët nën moshën 15 vjeç në vend që t’i vendosë nën kujdesin social.
Megjithatë, disa ekspertë dhe ligjvënës paralajmërojnë se kjo është qasja e gabuar.
Suedia po përballet me një valë krimi të bandave, me rrjete të përfshira në trafikun e drogës, mashtrime në shkallë të gjerë dhe grabitje, të cilat sigurojnë rreth 185 miliardë korona suedeze (20 miliardë dollarë) në vit.
Policia vlerëson se ka 17,500 anëtarë aktivë të bandave dhe 50,000 bashkëpunëtorë. Bandat përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar adoleshentë dhe, në disa raste, fëmijë deri në moshën 11-vjeçare për të kryer vrasje dhe shpërthime në të gjithë vendet nordike.
Të mitur nën 15 vjeç të akuzuar për vrasje ose tentativë vrasjeje
Sipas një ligji të ri të propozuar, mosha e përgjegjësisë penale do të ulet nga 15 në 13 vjeç — më e ulët se në shumicën e vendeve evropiane — dhe të miturit e dënuar për krimet më të rënda do të burgosen në burgje të posaçme. Njëri prej tyre do të jetë për vajza.
“Kemi një emergjencë,” deklaroi ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, në prill.
“Vitin e kaluar, 52 fëmijë nën moshën 15 vjeç u përfshinë në procese gjyqësore si të dyshuar për vrasje ose tentativë vrasjeje. Pra, nuk po flasim për vjedhje, madje as për sulme apo grabitje. Po flasim për vrasje.”
Parlamenti do të votojë për legjislacionin më 15 qershor. Ligji parashikon që masat të rishikohen pas pesë vitesh.

Ulja e moshës së përgjegjësisë penale është vetëm një nga masat e reja kundër dhunës së bandave. Masa të tjera përfshijnë dënime më të gjata me burg dhe zgjerimin e kompetencave të policisë.
Qeveria e djathtë thotë se goditja ndaj krimit po jep rezultate. Në vitin 2025 u vranë me armë zjarri 44 persona, krahasuar me kulmin prej 62 viktimash në vitin 2022. Gjithashtu, më shumë anëtarë bandash ndodhen pas hekurave.
Por ndalimi i rekrutimit të fëmijëve nga bandat do të jetë shumë më i vështirë. Qeveria argumenton se burgu do të shërbejë si pengesë dhe se programet intensive të rehabilitimit do të parandalojnë rikthimin në krim.
Puberteti pas hekurave
Në burgun e Rosersbergut, në veri të Stokholmit, një nga tre institucionet që po rindërtohen për kriminelët më të dhunshëm adoleshentë, jeta në burg do të fokusohet te arsimi.
Në kohën e lirë, të burgosurit do të mund të shikojnë televizor, të luajnë videolojëra ose të ushtrohen në palestër. Qelitë do të mbyllen çdo mbrëmje në orën 20:00.
Drejtori i burgut, Gabriel Wessman, pret të presë të burgosurit e parë pas verës. Sfida më e madhe krahasuar me të burgosurit e rritur do të jetë ofrimi i mbështetjes dhe ngushëllimit për adoleshentët, disa prej të cilëve nuk kanë jetuar kurrë larg prindërve.
“Ata do të rriten këtu brenda,” tha ai, duke shtuar se burgu duhet t’i ndihmojë të kalojnë pubertetin.
Telefonat celularë nuk do të lejohen, ndërsa mësimet e shahut do të përdoren për të zhvilluar përqendrimin. Por, sipas tij, ata kanë nevojë edhe për një mënyrë për të shprehur emocionet.
“Nuk është aspak e pazakontë që djemtë e kësaj moshe të kenë lodra prej pelushi,” tha Wessman. “Ndoshta duhet të sigurohemi që të ketë nga një të tillë në çdo qeli.”

Anëtarët adoleshentë të bandave rikthehen shpesh në krim
Deri tani, të miturit më problematikë në Suedi trajtoheshin nga shërbimet sociale. Por ky sistem konsiderohet gjerësisht si i dështuar.
Sipas një raporti të Zyrës Kombëtare Suedeze të Auditimit, nëntë nga dhjetë të rinj të përfshirë në banda që janë vendosur në qendra rinore rikthehen në aktivitet kriminal. Tetë nga dhjetë përfundojnë në burg si të rritur.
Qeveria argumenton se burgosja do të mbrojë publikun, do të sjellë drejtësi për viktimat dhe do të shkëpusë lidhjet e të rinjve me bandat.
Kritikët shqetësohen për pasojat mbi fëmijët.
“Një 13-vjeçar është fëmijë — madje nuk është as ligjërisht në moshën për të blerë pije energjike,” tha Wilma Roth. “Fëmijët nën 15 vjeç që kryejnë krime të rënda duhet të vendosen nën kujdes dhe të trajtohen, jo të burgosen.”
Edhe autoritetet suedeze të zbatimit të ligjit dhe administrata e burgjeve kanë shprehur shqetësime.
Ndërkohë, në Britani dhe Irlandën e Veriut, ku mosha e përgjegjësisë penale është 10 vjeç, po zhvillohen debate për ta rritur këtë kufi.
Danimarka eksperimentoi me uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç në vitin 2010, por studiuesit arritën në përfundimin se kjo nuk pati ndikim në nivelin e kriminalitetit.
Profesori i Kriminologjisë në Stockholm University, Felipe Estrada Dorner, tha se burgosja e fëmijëve tashmë të margjinalizuar rrezikon të dëmtojë perspektivat e tyre për jetën, por shtoi se shoqëria duhet të mbrohet, shkruan Reuters.
“Nuk mund të kemi vrasës që shëtisin lirshëm në rrugët tona,” tha ai.