
Deputeti i PD-së Belind Këlliçi akuzoi kryeministrin Rama dhe deputetët e Partisë Socialiste për grabitjen po i bëhet vendit nga kreu i qeverisë dhe “organizata” e tij bashkë me deputetët.
Në fjalën e tij në Kuvend, Këlliçi përmendi dhunën në protestat e qytetarëve, dhunën ndaj banorëve të Astirit, 5 Majit, Rrjollit e Thethit.
“Të nderuar qytetarë, ne Deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kemi vetëm një DETYRË!
Të marrim vendime në të mirë të qytetarëve dhe të vendit tonë. të votojmë ligje e marrëveshje që i shërbejnë qytetarëve dhe brezave që do të vijnë. Por fatkeqësisht prej një dekade tashmë ndodh krejt e kundërta. Sot vendi ynë po grabitet e plaçkitet jo vetëm nga Edi Rama dhe “organizata” e tij, por fajtor mbi të gjitha jeni ju në këtë anë të sallës, që me fuqinë e kartonit miratoni në heshtje çdo aferë korruptive. Ajo që po ndodh në Zvërnec është fytyra e vërtetë e kësaj qëverie. Grabit e dhuno qytetarët.
Dhunë në protesta. dhunë te Astiri, dhunë te 5 Maji, dhunë në Rrjoll, dhunë në Theth, dhunë kudo të jetë e mundur.” – tha Këlliçi.
Ai shtoi më tej se prej nëntorit 2025 ka nisur mbledhjen e informacionit nga bashkitë e vendit për miliona e miliona metra katrorë tokë në kundërshtim me ligjin për parqe fotovoltaike për kompani anonime a shërbëtorë të pushtetit të Ramës.
“Prej nëntorit të vitit 2025 kam nisur të mbledh informacion nga Bashkitë e vendit për miliona e miliona metra katrorë tokë të dhëna në kundërshtim me ligjin, për parqe fotovoltaike, për kompani anonime apo shërbëtorë të pushtetit. E të jemi të qartë të gjithë do kallëzohen penalisht. Ne nuk mund të pranojmë kurrë që Edi Rama të privatizojë Shqipërinë dhe të largojë fermerët, të shpopullojë vendin apo t’i vrasë tek onkologjiku.” – shtoi Këlliçi.