Vendosni fjalën kyçe....

“Je vasal i plotë” – Netanyahu nën kritika nga opozita pasi Trump ndaloi sulmin ndaj Bejrutit


Krerët e opozitës izraelite kritikuan të hënën kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Truth Social se Hezbollah kishte rënë dakord të ndalte të gjitha sulmet me armë dhe se nuk do dërgoheshin trupa izraelite në Bejrut, vetëm disa orë pasi Izraeli kishte kërcënuar me goditje ndaj lagjes Dahieh në kryeqytetin libanez.

Izraelitët morën sërish lajmin për ndërprerjen e luftimeve jo nga qeveria e tyre, por nga presidenti amerikan. Kjo ndodhi rreth shtatë orë pasi Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kishin urdhëruar një sulm në Dahieh, i cili përfundimisht nuk u realizua, të paktën për momentin.

Ish-kryeministri Naftali Bennett, kreu i partisë Yahad, e lidhi menaxhimin e gjendjes në Liban me kaosin e shkaktuar nga protestat e hebrenjve ultra-ortodoksë që bllokuan rrugët për orë të tëra, si dhe me hyrjen e dhunshme gjatë natës në një komisariat policie në Beit Shemesh, shkruan Ynet.

“Jeruzalemi. Beit Shemesh. Libani. Gaza. Vendi ndryshon, por historia është e njëjtë,” tha Bennett.

“Një qeveri që ka humbur kontrollin mbi sovranitetin izraelit. Kaos kudo. Ne do t’ua rikthejmë sigurinë qytetarëve të Izraelit.”

Kreu i partisë Yisrael Beytenu, Avigdor Lieberman, deklaroi se ishte e papranueshme që veriu i Izraelit të kishte qenë nën zjarr të rëndë për ditë me radhë, ndërsa Netanyahu priste miratimin e Trumpit për të goditur Dahieh.

“Nuk jemi një republikë bananesh,” tha Lieberman.

“Dahieh duhet të rrafshohet tani dhe nuk duhet të ndalemi derisa ndërtesa e fundit atje të jetë shembur.”

Kritika erdhën edhe nga brenda koalicionit qeverisës. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i shkroi Netanyahut:

“Ti ke thënë se një kryeministër i fortë i thotë ‘po’ presidentit amerikan kur është e mundur dhe ‘jo’ kur është e nevojshme. Ky është momenti për t’i thënë mikut tonë, Presidentit Trump, ‘jo’.”

Ai shtoi se Izraeli duhet “ta godasë Hezbollahun, t’u japë liri veprimi luftëtarëve tanë dhe të rikthejë sigurinë në veri”.

Në postimin e tij në Truth Social, Trump shkroi se kishte zhvilluar një “telefonatë shumë produktive” me Netanyahun, duke shtuar se “nuk do ketë trupa që do shkojnë në Bejrut” dhe se çdo forcë që ishte nisur drejt qytetit “është kthyer tashmë mbrapsht”.

Ai tha gjithashtu se, përmes “përfaqësuesve të nivelit të lartë”, kishte zhvilluar “një telefonatë shumë të mirë me Hezbollahun” dhe se grupi kishte rënë dakord që “të gjitha të shtënat do ndalen”.

“Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do ta sulmojnë Izraelin,” shkroi Trump.