
Drejtuesja socialdemokrate daneze Mette Frederiksen njoftoi të hënën se ka arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie koalicioni të qendrës së majtë, duke ruajtur pushtetin në një periudhë tensioni me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me të ardhmen e Groenlandës.
Marrëveshja për formimin e një qeverie minoritare i siguron Frederiksenit mandatin e tretë radhazi si kryeministre, duke i dhënë fund muajve të pasigurisë politike pas zgjedhjeve të marsit, ku 12 parti fituan vende në parlamentin danez.
“Kam qenë te Madhëria e Tij, Mbreti, dhe kam njoftuar se mund të formohet një qeveri pas negociatave të gjata,” u tha Frederiksen gazetarëve.
Koalicioni i saj i qendrës humbi shumicën në zgjedhjet e 24 marsit, ndërsa votuesit danezë shprehën pakënaqësinë për krizën e kostos së jetesës. Megjithatë, Partia Socialdemokrate mbeti forca më e madhe në parlament me 38 nga 179 vende, krahasuar me 50 vende që kishte më parë.
Pas më shumë se dy muaj negociatash, ku socialdemokratët dhe partia e djathtë liberale kërkuan secila të drejtonte qeverinë e re, Frederiksen, 48 vjeç, arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare.
“Është një platformë qeverisëse për njerëzit që jetojnë në Danimarkë, për brezat që do vijnë dhe gjithashtu për kafshët,” tha ajo.
Mirëqenia e kafshëve ishte një nga temat kryesore të debatit gjatë fushatës zgjedhore.
Frederiksen bëri të ditur se prioritetet e përgjithshme të qeverisë do prezantohen të martën, ndërsa emrat e ministrave do shpallen të mërkurën.
Përveç Socialdemokratëve, qeveria e re do të përfshijë edhe Liberalsocialët, Të Gjelbrit, Të Moderuarit
Moderates.
Formimi i kësaj qeverie shënon një zhvendosje më të theksuar drejt së majtës për Frederiksen, e cila gjatë katër viteve të fundit drejtoi një koalicion të pazakontë që bashkonte forca nga e majta dhe e djathta, përfshirë Socialdemokratët, Të Moderuarit dhe Liberalët, shkruan Reuters.