
Shtatë kryebashkiakë janë arrestuar në Meksikë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, deklaroi të mërkurën kreu i Sekretariatit të Sigurisë (SSPC), Omar García Harfuch, duke theksuar se nuk do ketë pandëshkueshmëri për ata që kanë lidhje me krimin e organizuar.
Gjatë konferencës së mëngjesit të presidentes Claudia Sheinbaum, Harfuch paralajmëroi se figurat politike të përfshira në veprimtari kriminale do përballen me drejtësinë.
Sipas tij, gjatë kësaj administrate janë arrestuar me sukses 85 funksionarë publikë. Ndër të arrestuarit më të spikatur janë shtatë kryebashkiakë nga bashki të ndryshme të vendit.
Në një intervistë të mëparshme për gazetën La Jornada, Harfuch theksoi se këto veprime nuk kanë karakter partiak:
“Kudo ku ka indicie dhe prova kundër personave që kryejnë krime, qofshin zyrtarë aktualë apo ish-zyrtarë, ata do hetohen dhe arrestohen. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që qytetarët ta dinë se kjo vlen pavarësisht partisë apo ngjyrimit politik; në këto raste të përfshirët vijnë nga të gjitha partitë dhe nga i gjithë spektri politik.”
Harfuch deklaroi se strategjia e sigurisë ka sjellë një ulje prej 49% të vrasjeve me dashje ndërmjet shtatorit 2024 dhe majit 2026.
Sipas tij, kjo rënie, të cilën e cilësoi si “të paprecedentë”, është shoqëruar me arrestimin e 54.300 personave të dyshuar për krime të rënda.
Raporti zyrtar tregon gjithashtu një goditje të konsiderueshme financiare dhe operacionale ndaj organizatave kriminale, përmes sekuestrimit dhe shkatërrimit të:
Më shumë se 400 tonelatave lëndë narkotike;
2.400 laboratorëve të fshehtë për prodhimin e drogës;
Gati 30.000 armëve të zjarrit të sekuestruara, prej të cilave 78% me origjinë nga SHBA.
García Harfuch ritheksoi se objektivi kryesor i qeverisë është të sigurojë që “të ketë më pak kriminelë në rrugë dhe më shumë paqe për popullsinë”, ndërsa autoritetet do të vazhdojnë të monitorojnë sjelljen dhe veprimtarinë e zyrtarëve publikë në të gjitha nivelet e administratës, shkruan BB.