
Ikon Midstream, një tregtar nafte me seli në Hjuston, zyrat e të cilit u bastisën muajin e kaluar nga autoritetet e SHBA-së, është nën hetim në Meksikë në lidhje me kontrabandën e karburanteve, sipas tre burimeve meksikane të sigurisë me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen dhe katër dokumenteve të sigurisë të qeverisë meksikane të para nga Reuters.
Hetimi është pjesë e hetimeve në vijim mbi dërgesat detare të prodhimeve të naftës që u sollën në Meksikë nga SHBA-ja dhe Kanadaja në një skemë të dyshuar për të shmangur një taksë të madhe që duhet paguar për këto importe, thanë dokumentet dhe burimet.
Ikon Midstream është mes “pjesëve qendrore” në një skemë të dyshuar të lidhur me një nga grupet më të fuqishme të krimit në Meksikë, Karteli i Gjeneratës së Re të Jaliskos (CJNG), dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm të Meksikës ka hapur një hetim ndaj kompanisë “bazuar në dëshmi, dokumente dhe mbikëqyrje,” sipas një prej dokumenteve.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Meksikës nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Eksporti i naftës i tregtarit nga Teksasi në bordin e anijes Torm Agnes po shqyrtohet me imtësi për lidhje të mundshme me kartelin, ashtu si edhe marrëdhënia e pretenduar e Ikon Midstream me një kompani kamionësh të dyshuar si e lidhur me CJNG-në, e cila ndihmoi në shkarkimin e ngarkesës së anijes në portet e Ensenada-s dhe Guaymas-it, sipas burimeve të sigurisë dhe dokumentit.
Dy nga dokumentet shtronin operacionet dhe lojtarët në rrjetin e dyshuar. Mes tyre, Ikon Midstream pretendohej se ishte një furnizues i prodhimeve të naftës që lëviznin përmes një rrjeti të ndërlikuar importuesish, transportuesish, shpërndarësish dhe lndërmjetësuesish në Meksikë. Dy dokumentet e tjera përmbanin përmbledhje të hetimeve. Të katër dokumentet u krijuan në mars dhe prill dhe vërtetësia e tyre u konfirmuar nga burimet e sigurisë.

Një anije e Marinës Meksikane patrullon pranë një rafinerie nafte pranë Portit të Tampico-s më 28 maj 2025. Zona ka qenë një vatër e kontrabandës së karburantit, thonë autoritetet
I pyetur për të komentuar mbi hetimet, drejtori Ekzekutiv i Ikon Midstream, Rhett Kenagy, tha në një email të 12 majit drejtuar Reuters se nuk kishte “asnjë grimcë të vetme dokumentacioni për të mbështetur asgjë nga kjo” dhe se kompania “nuk do t’u përgjigjej akuzave të bazuara në thashetheme.”
Hetimet e Sigurisë Kombëtare (HSI), agjencia parësore e hetimeve transnacionale brenda Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ekzekutoi një urdhër bastisjeje penale në zyrat e Ikon Midstream në Hjuston më 14 prill, tha një zëdhënës i DHS për Reuters në një deklaratë të 17 prillit.
“Kjo lidhet me një hetim në vijim mbi veprimntarinë kriminale,” thoshte deklarata. DHS nuk dha hollësi dhe nuk komentoi nëse po bashkërendohej me autoritetet meksikane.

Fragment nga një deklaratë e 17 prillit 2026 për Reuters nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së në lidhje me një bastisje të kryer më herët atë javë nga njësia e saj hetimore në zyrat e Ikon Midstream në Hjuston
Ikon Midstream ka mohuar vijimësisht se ka kryer shkelje. In një deklaratë të 24 prillit drejtuar Reuters, tregtari i karburantit tha se “kurrë nuk ka siguruar me vetëdije, dhe nuk siguron me vetëdije, mbështetje materiale ose burime për CJNG.” Lidhur me bastisjen nga Hetimet e Sigurisë Kombëtare, Ikon Midstream tha në deklaratën e vet se “një veprim hetimor nga zbatimi i ligjit nuk është në vetvete një gjetje e shkeljes.”
Autoritetet meksikane kanë njoftuar arrestimin e të paktën 16 personave që nga shtatori në lidhje me kontrabandën e karburanteve. Ndërsa zyrtarët kanë thënë se kanë zbuluar një “strukturë kriminale” pas veprimtarisë së dyshuar të paligjshme, ata nuk i kanë emëruar publikisht të ndaluarit apo të kenë thënë diçka rreth lidhjeve të tyre të mundshme me CJNG-në.
Në një raport të tetorit, Reuters tregoi se si nafta e eksportuar nga Ikon Midstream në bordin e anijes Torm Agnes gjeti rrugën e saj në duart e Intanza-s, një kompani meksikane që autoritetet atje dyshojnë se është një përfaqësuese për CJNG-në. Intanza nuk ka asnjë numër telefoni të listuar, faqje interneti, prani në rrjetet sociale apo vend fizik që Reuters mund të gjente.
Naftë apo graso
Ikon Midstream mori me qira anijet Torm Agnes dhe Torm Louise për të dërguar naftë dhe naftë të lehtë nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Meksikë vitin e kaluar. Disa nga dokumentet e saj tregojnë se katër nga ngarkesat u deklaruan në doganën e SHBA-së si lubrifikantë që nuk i nënshtroheshin një takse të madhe meksikane.

Të dhënat e gjurmimit të cisternave
Ajo histori tregonte me hollësi se si kartelet meksikane fitojnë miliarda dollarë çdo vit duke kontrabanduar karburant, kryesisht nga SHBA-ja në Meksikë, në atë që përmblidhet si një shmangie e madhe taksash: Nafta, benzina dhe nafta e lehtë pretendohen në dokumentet tregtare si lubrifikantë për të shmangur një taksë të rëndë importi që Meksika tarifon mbi këto karburante të importuara.
Karburanti i kontrabanduar dhe nafta bruto e vjedhur janë bërë burimi i dytë më i madh i të ardhurave për kartelet e Meksikës pas narkotikëve, sipas qeverisë së SHBA-së, e cila ka rritur përpjekjet për të goditur tregtinë e paligjshme. Administrata Trump e shpalli CJNG-në si një organizatë të huaj terroriste në shkurt 2025.
Dokumentet e import-eksportit për këto transaksione janë shpesh të paplota ose të falsifikuara nga kontrabandistët, të cilët përdorin kompani përfaqësuese për të lehtësuar këto marrëveshje dhe regjistrojnë lojtarë të industrisë së naftës për t’i ndihmuar, disa duke bashkëpunuar aktivisht, të tjerë duke vepruar pa vetëdije, thanë për Reuters ekspertë të tregtisë, autoritetet tatimore dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Një anëtar i Marinës Meksikane dhe një qen nuhatës patrullojnë Portin e Tampico-s më 28 maj 2025. Autoritetet kanë rritur sigurinë në port në një përpjekje për të luftuar kontrabandën e drogës dhe karburantit
Ikon Midstream paditi Reuters për shpifje më 14 nëntor në një gjykatë rrethi në Teksas, duke pretenduar se agjencia e lajmeve bëri deklarata “kategorikisht të rreme” rreth biznesit të saj në shkrimin e tetorit. Reuters i qëndron raportimit të vet dhe po kundërshton padinë.
Ikon Midstream tha se nuk ka bërë kurrë biznes me Intanza-n. Pas publikimit të raportit të tetorit të Reuters, Ikon Midstream i siguroi Reuters-it dokumente të brendshme të kompanisë që tregonin se ngarkesa e Torm Agnes plus tre dërgesa të tjera të vitit 2025 të naftës dhe naftës së lehtë në bordin e anijes Torm Louise iu shitën një klienti meksikan të quajtur Azteca Cone.
Azteca Cone, ashtu si Intanza, është pjesë e të njëjtës skemë të dyshuar dhe po ashtu është nën hetim për kontrabandë karburanti dhe lidhje të dyshuara me CJNG-në, sipas tre burimeve meksikane të sigurisë dhe dy dokumenteve të sigurisë të qeverisë.
Azteca Cone ka një profil misterioz në industrinë e karburanteve. Pikërisht si Intanza, Azteca Cone nuk ka asnjë numër telefoni të listuar, faqe interneti apo vend fizik që Reuters mund të gjente.

Faturat e ofruara nga Ikon Midstream për Reuters tregojnë kompaninë meksikane Azteca Cone si një nga klientët e saj. Azteca Cone dyshohet se është një kompani fasadë për Kartelin e Gjeneratës së Re të Jalisco-s, sipas tre burimeve të sigurisë meksikane dhe dy dokumenteve të sigurisë qeveritare të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve
Dokumentet e brendshme që Ikon Midstream ndau me Reuters tregojnë gjithashtu se tregtari i karburantit nga Teksasi përshkroi gabimisht ngarkesën e të paktën katër dërgesave vitin e kaluar në deklarimet në doganën e SHBA-së.
Disa nga vetë dokumentet e Ikon Midstream e përshkruanin ngarkesën si lubrifikantë, duke kundërshtuar deklaratat e bëra për Reuters vitin e kaluar nga avokati i kompanisë teksane dhe menaxheri komercial i anijeve se anijet mbanin naftë dhe naftë të lehtë. Dallimi ka rëndësi sepse lubrifikantët janë të përjashtuar nga taksa e rëndë e Meksikës mbi karburantin e importuar.
Kur të dhënat e eksportit të etiketuara gabim përkojnë me atë që deklarohet nga importuesi në vendin pritës – si për shembull kur të dyja palët deklarojnë se ngarkesa është lubrifikant kur produkti është, në fakt, naftë – kontrabanda është tejet e vështirë të diktohet, sipas zyrtarëve të zbatimit të ligjit në të dyja anët e kufirit.
Ikon Midstream në deklaratën e vet të 24 prillit për Reuters pranoi se kishte bërë gabime në deklarimet e saj të eksportit – një kthesë nga pohimet e mëparshme të kompanisë se kishte përdorur kodet e sakta të produktit në deklaratat në doganën e SHBA-së. Në deklaratën e përditësuar, kompania i karakterizoi pasaktësitë e saj të përsëritura në dokumente si gabime “zyre” dhe tha se nuk kishte “asnjë motiv për shmangie taksash.”
Gjiganti i transportit të naftës Torm, menaxher i anijeve tankere Torm Agnes dhe Torm Louise, nuk dha koment për këtë shkrim. Torm me seli në Danimarkë i tha Reuters-it vitin e kaluar se kishte përfunduar marrëdhëniet e veta të biznesit me Ikon Midstream “bazuar në atë që ka dalë në dritë.” Ajo nuk dha hollësi.
Reuters raportoi më parë se nafta që Ikon Midstream nisi drejt Meksikës në bordin e Torm Agnes erdhi nga Imperial Oil, një kompani kanadeze nafte që është në pronësi të shumicës nga gjiganti amerikan i naftës Exxon Mobil, sipas katër burimeve të njohura me marrëveshjen.
Exxon është emëruar gjithashtu në raportet e inspektimit për tre dërgesat e Torm Louise, dokumente këto të ndara me Reuters nga Ikon Midstream, duke treguar se gjiganti i naftës i furnizoi karburantin Ikon Midstream-it. Palët e listuara në certifikatat e inspektimit janë tipikisht blerësi, shitësi dhe operatori i terminalit.

Exxon Mobil është emëruar në certifikatat e inspektimit të dhëna Reuters nga Ikon Midstream për ngarkesat e naftës dhe naftës me destinacion Meksikën, duke treguar se gjiganti amerikan i naftës furnizoi karburantin për Ikon Midstream
Exxon nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment. Kompania i ndërpreu lidhjet me Ikon Midstream në mes të vitit 2025, tha një person i njohur me çështjen pa dhënë hollësi.
Raporti i tetorit i Reuters gjeti se Ikon Midstream vitin e kaluar bleu rreth 120,000 fuçi naftë që u ngarkuan në Kanada në bordin e anijes Torm Agnes dhe më pas u transportuan në Meksikë, ku u pritën nga Intanza. Të dhënat e portit treguan se ngarkesa u deklarua dy herë në doganën meksikane si lubrifikant: së pari në Portin e Ensenada-s, ku një pjesë u shkarkua në kamionë karburanti, e më pas më vonë në Portin e Guaymas-it, ku një pjesë e ngarkesës së mbetur u shkarkua në të njëjtën mënyrë.
Ky klasifikim i gabuar i lejoi Intanza-s të shmangte rreth 7 miliardë dollarë taksa që do duheshin paguar për naftën, llogariti Reuters, bazuar në volumin e naftës dhe shkallën e taksës në atë kohë.

Kamionët e karburantit rreshtohen në Portin e Guaymas në Meksikë për të shkarkuar naftë nga cisterna Torm Agnes në fund të marsit 2025. Eksportuesi i asaj ngarkese, Ikon Midstream, është nën hetim në Meksikë në lidhje me kontrabandën e karburantit të lidhur me kartelin. Reuters ishte në gjendje të konfirmonte vendndodhjen nga skedarët dhe imazhet satelitore, dhe të dhënat e gjurmimit të cisternave treguan se anija u ankorua në Guaymas më 20 mars 2025
Burimet meksikane të sigurisë i dhanë Reuters-it se një kompani kamionësh e quajtur Mefra Fletes ndihmoi në transportimin e naftës së Torm Agnes në të dy portet. Kompania është identifikuar gjithashtu si një nga pjesët qendrore në skemën e dyshuar të kontrabandës së karburantit, sipas katër dokumenteve të sigurisë të qeverisë.
Mefra Fletes dhe Ikon Midstream kanë punuar së bashku gjerësisht në vitet e fundit, përfshirë në transferimet nga anija në kamion të prodhimeve të naftës në porte të shumta meksikane, sipas tre burimeve meksikane të sigurisë dhe dy dokumenteve të sigurisë. Një reporter i Reuters i cili ndaloi në zyrat e Ikon Midstream në Hjuston në gusht u kthye mbrapsht nga një burrë i cili tha se ishte punonjës i Ikon Midstream dhe se kishte punuar më parë për Mefra Fletes në Meksikë. Burri kundërshtoi të jepte emrin e tij të plotë.
Një dokument i pestë i padatuar i sigurisë i qeverisë meksikane, një pjesë e të cilit u pa nga Reuters, emëronte pesë pronarë ose përfaqësues të Mefra Fletes që kanë lidhje të dyshuara me CJNG-në. Reuters nuk mundi të vërtetonte nëse ndonjë prej atyre njerëzve është akuzuar, as nuk mundi t’i kontaktonte ata ose Mefra Fletes për koment. Kompania nuk ka prani në rrjetet sociale dhe asnjë numër telefoni ose adresë të listuar.
Ikon Midstream nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters rreth marrëdhënies së saj të pretenduar me Mefra Fletes.
Klientët e një tregtari karburanti
Në padinë e saj kundër Reuters, Ikon Midstream e përshkroi veten si një eksportues të prodhimeve të naftës dhe tha se vetëm importuesi mban përgjegjësinë për atë që deklarohet në doganën meksikane.
Megjithatë, eksportuesit amerikanë pritet të njohin klientët e tyre dhe të bëjnë përpjekje të arsyeshme për të kontrolluar që ata nuk janë të sanksionuar apo të lidhur me një palë të sanksionuar, sipas tetë ekspertëve ligjorë të konsultuar nga Reuters.
Një vigjilencë e tillë është kritike pasi CJNG dhe pesë kartele të tjera meksikane përfunduan në listën e SHBA-së të organizatave të huaja terroriste të projektuara në shkurt 2025, sipas Ephraim Wernick, një partner në Vinson & Elkins dhe një ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, i cili u specializua në çështjet e korrupsionit të huaj dhe pastrimit të parave. Kjo sepse prokurorët amerikanë tani kanë më shumë liri veprimi për të ndjekur çdo palë të dyshuar për ofrimin e mbështetjes materiale për kartelet, tha ai.
“Nuk të lejohet të fusësh kokën në rërë,” tha Wernick, i cili vuri në dukje se nuk është i njohur me Ikon Midstream apo transaksionet e saj në Meksikë.
Në deklaratën e saj të 24 prillit, Ikon Midstream tha se i verifikon klientët duke përdorur një “program të kujdesit të duhur të bazuar në rrezik.” Ajo tha se kurrë nuk kishte bërë biznes me një entitet që shfaqej në një listë sanksionesh të SHBA-së dhe se asnjë nga bashkëpartitë e saj nuk kishte treguar “sjellje pagese të papajtueshme me një blerës legjitim të karburantit me shumicë.”
Reuters, megjithatë, nuk mundi të vërtetonte as informacionin më bazik rreth Azteca Cone, përfshirë adresën e saj fizike.
Duke përdorur një adresë për Azteca Cone të listuar në katër fatura të vitit 2025 të ofruara nga Ikon Midstream, dy gazetarë të Reuters në nëntor udhëtuan drejt një zone industriale në rrethinat e Monterrey-t në veri të Meksikës. Ai vend ishte shtëpia e një kompanie metalurgjike të quajtur C.W. Tech. Një punonjës tha se nuk kishin dëgjuar kurrë për Azteca Cone dhe se C.W. Tech kishte qenë në atë adresë për tre vitet e fundit.

Reuters u përpoq të gjente Azteca Cone, një nga klientët meksikanë të Ikon Midstream, në adresën e zonës së Monterrey-t të listuar në fatura. Agjencia e lajmeve gjeti atje një kompani përpunimi metalesh, por asnjë shenjë të Azteca Cone
C.W. Tech nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Nuk ka asnjë të dhënë që kompania ishte e përfshirë në skemën e dyshuar të kontrabandës së karburantit.
Për më tepër, Reuters nuk mundi të gjente të dhëna që tregonin se Azteca Cone ose Intanza kishin mbajtur ndonjëherë leje të kërkuara nga Ministria e Energjisë e Meksikës për të importuar naftë ose naftë të lehtë në Meksikë, sipas një rishikimi të Reuters për leje të tilla që kur kompanitë u themeluan në vitin 2021 dhe 2022 përkatësisht. Importuesit që u mungojnë këto leje mund të përballen me gjoba të rënda ose madje me kohë burgu, dhanë dy avokatë meksikanë të specializuar në çështjet e energjisë dhe taksave.
Ministria e Energjisë nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ikon Midstream tha se nuk ishte përgjegjëse për verifikimin e pranisë fizike operuese të Azteca Cone, dhe as nuk ishte e detyruar sipas ligjit të SHBA-së apo Meksikës të verifikonte nëse klienti i saj meksikan mbante leje të tilla, sipas deklaratës së saj të 1 prillit.
Të dyja Azteca Cone dhe Intanza po ashtu kanë pasur një miratim kritik qeveritar të revokuar. Çdo kompani që kërkon të importojë mallra të çfarëdo lloji në Meksikë duhet të ketë një regjistrim të veçantë të vlefshëm pranë SAT, siç njihet autoriteti tatimor i kombit. Më 31 mars 2025, si Intanza ashtu edhe Azteca Cone u pezulluan nga regjistri i importuesve të agjencisë, sipas listës zyrtare të SAT për kompanitë e pezulluara. Këto pezullime erdhën më pak se një muaj pasi Torm Agnes mbërriti në Portin Meksikan të Ensenada-s më 8 mars 2025.
Lista e pezullimeve thoshte se Intanza dhe Azteca Cone kishin humbur autorizimet e tyre të importit sepse secila kishte një lidhje me një palë tjetër që ishte pezulluar nga importimi. Dokumenti nuk e emëronte palën e tretë apo të shpjegonte pse ajo ishte pezulluar.
Autoriteti tatimor i Meksikës nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ikon Midstream në deklaratën e saj të 1 prillit tha se ajo “nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet rregullatore të ndërmarra ndaj një klienti pas faktit.”
Përveç Azteca Cone dhe Intanza, 13 kompani të tjera në Meksikë deklaruan se kishin bërë biznes me Ikon Midstream midis 10 tetorit 2019 dhe 4 maji 2025, duke importuar produkte që përfshinin lubrifikantë dhe kamionë karburanti, por jo naftë, benzinë apo naftë të lehtë në më shumë se 300 transaksione, sipas të dhënave tregtare meksikane të ofruara nga kompania e analitikës tregtare Altana. Dhjetë nga këto kompani, gjithashtu, u pezulluan nga regjistri i importeve nga autoriteti tatimor i Meksikës – shtatë prej tyre vetëm në vitin 2025, sipas listës së pezullimeve të agjencisë.
Lista citonte një sërë arsyesh për ato pezullime: Disa nga kompanitë nuk mund të lokalizoheshin nga autoriteti tatimor. Të tjera nuk dorëzuan deklaratat tatimore. Të tjera nuk kishin dokumentet e kërkuara për të shpjeguar transaksionet e tyre të huaja. Lista e pezullimeve nuk jepte detaje për këto raste; detajet nuk bëhen publike nga autoriteti tatimor.
SAT nuk iu përgjigj kërkesave për koment rreth pezullimeve të saj për Azteca Cone, Intanza apo 10 kompanitë e tjera. Një dokument publik i lëshuar nga autoriteti tatimor më 23 janar 2026, tha se SAT dyshon se një nga ato firma – Komercialis – është një kompani fantomë që lëshonte fatura të rreme për transaksione që nuk ndodhën kurrë.

Reuters nisi të kontaktojë më shumë se një duzinë partnerësh tregtarë meksikanë të Ikon Midstream duke dërguar letra në adresat e tyre të listuara. Shumica nuk u dorëzuan sepse shërbimi i korrierit nuk mundi t’i gjente kompanitë në ato vende
Asnjë nga kompanitë nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Shumica nuk kishin numër telefoni të listuar apo prani në internet. Pyetjet e dërguara me korrier mbetën kryesisht të padërguara sepse kompanitë nuk mund të gjendeshin në adresat e tyre të listuara.
Ikon Midstream tha se të gjitha bashkëpartitë e saj kishin adresa biznesi të identifikueshme në kohën e transaksioneve të saj me to, sipas deklaratës së saj të 24 prillit.
“Kjo është e dyshimtë”
Tregtia ndërkombëtare rrotullohet rreth kodeve të produktit – vargje numrash të zhvilluar nga Organizata Botërore e Doganave për të sjellë uniformitet në mënyrën se si vendet identifikojnë mallrat që vijnë dhe shkojnë nga brigjet e tyre. Në SHBA, këto njihen si kodet e Planit Tarifor të Harmonizuar (HTS).
Por për gjithë specifikën e tij, sistemi është i lehtë për t’u shfrytëzuar sepse zyrtarët doganorë nuk mund të inspektojnë çdo dërgesë për të siguruar që kodet e produktit të vendosura në dokumentet tregtare përkojnë me mallrat. Kontrabandistët që kërkojnë të shmangin taksat meksikane të importit mbi karburantin tipikisht e kodojnë ngarkesën si lubrifikantë ose ndonjë lloj tjetër produkti nafte që është i përjashtuar nga vlerësimi, thanë ekspertët e tregtisë dhe autoritetet.
Ikon Midstream përdori anijet Torm për të dorëzuar të paktën pesë dërgesa të prodhimeve të naftës në Meksikë, raportoi Reuters në tetor. Të dyja kompanitë i dhanë Reuters-it se ato ngarkesa ishin naftë dhe naftë të lehtë. Por dokumentet e eksportit që tregtari i karburantit ndau me Reuters për katër nga ato dërgesa treguan se Ikon Midstream përdori kodet HTS për lubrifikantët.
Një shembull përfshin dy fatura ngarkesash, njëra e datës 7 janar 2025, tjetra e 24 janarit 2025, për dërgesat që linin Teksasin në bordin e anijes Torm Louise. Dokumentet identifikuan të dyja ngarkesat me kodin HTS 2710.19.3020. Ky numër qëndron për vajrat lubrifikantë të përdorur në motorët automobilistikë, detarë ose të naftës, sipas përshkrimit të shkruar të qeverisë së SHBA-së për kodin në databazën e saj online të kodeve HTS. Përshkrimi i shkruar në ato fatura po ashtu e përshkruante ngarkesën si vajra lubrifikantë.

Faturat e ngarkesës të dhëna për Reuters nga Ikon Midstream dhe të paraqitura në doganat e SHBA-së tregojnë se tregtari i karburantit i përshkroi dërgesat e eksportit të naftës dhe naftës si lubrifikantë
Dokumentet e eksportit të SHBA-së të ofruara nga Ikon Midstream për dy dërgesa shtesë në Meksikë – një ngarkesë nafte dhe nafte të lehtë e dërguar në Torm Louise midis shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar, dhe nafta në bordin e Torm Agnes – po ashtu përdorën kodet HTS për lubrifikantët.
Avokati i Ikon Midstream tha në një email të 29 tetorit drejtuar Reuters se përdorimi i 2710.19.3020 ishte i duhur sepse është “një kategori e përgjithshme produkti, dhe jo listimi specifik i ngarkesës.”
Qeveria e SHBA-së nuk ra dakord me atë interpretim. Dogana dhe Mbrojtja e Kufirit e SHBA-së (CBP) refuzoi të komentonte mbi kompani apo hetime specifike, por i tha Reuters-it se 2710.19.3020 nuk është kodi i duhur për naftën apo naftën e lehtë.
Gabimet e rastësishme në dokumentet e tregtisë ndërkombëtare mund të ndodhin për shkak të gabimeve klerikale, keqkuptimeve ose barrierave gjuhësore. Por pasaktësitë e përsëritura mund të konsiderohen si një shkelje e rregulloreve të tregtisë së jashtme, tha një zëdhënës i CBP-së.
“CBP i sheh gabimet e përsëritura në kodimin HTS seriozisht si për importet ashtu edhe për eksportet. CBP mund të ndërmarrë veprime të pajtueshmërisë dhe zbatimit, përfshirë sekuestrimet, penalitetet dhe kontrollin e shtuar,” tha agjencia në një email të 26 nëntorit drejtuar Reuters.
James Swanson, një ish-drejtor për sigurinë e ngarkesave dhe kontrolleve në CBP, tha se përdorimi i përsëritur i kodeve të gabuara HTS nga Ikon Midstream në dokumentet e eksportit të SHBA-së ishte një shenjë paralajmëruese për të, veçanërisht pasi importuesi meksikan bëri të njëjtin gabim në deklarimet doganore atje.

BASE. Të dhënat e paraqitura të Informacionit Elektronik të Eksportit nga janari 2025, të dhëna për Reuters nga Ikon Midstream, tregojnë se është përdorur një kod produkti lubrifikantësh në dërgesat e naftës dhe naftës
“Është e vështirë të besosh se kjo ishte thjesht një harresë,” tha ai.
“Kjo është e dyshimtë.”
E prezantuar me pozicionin e CBP-së mbi kodet e produktit nga Reuters, Ikon Midstream pranoi se kishte bërë gabime në deklarimet e saj të eksportit, e karakterizoi raportimin e gabuar si të vogël dhe të paqëllimshëm, dhe tha se ishte “e përkushtuar ndaj klasifikimit të saktë në të ardhmen” në deklaratën e saj të 24 prillit drejtuar agjencisë së lajmeve.
Një ish-hetues pranë autoritetit tatimor të Meksikës, duke folur në mënyrë të përgjithshme rreth kontrabandës së karburantit, i tha Reuters-it se kontrabandistët kanë filluar të koordinohen në të dyja skajet e transaksioneve, duke përdorur të njëjtat kode të rreme tarifore në SHBA dhe Meksikë për ta bërë mashtrimin e tyre më të vështirë për t’u diktuar nga zbatimi i ligjit.
Një fshehje e tillë është “më e ndërlikuara dhe më e sofistikuara që kemi parë deri më tani,” tha ish-hetuesi. “Ajo kërkon bashkëpunim mes, si importuesve ashtu edhe eksportuesve, shumë njohuri teknike dhe një strategji solide.”
Ikon Midstream në deklaratën e saj të 1 prillit tha se “nuk kishte asnjë koordinim midis Ikon Midstream dhe Azteca Cone” në lidhje me kodet tarifore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani