Një shpërthim i fuqishëm që ndriçoi qiellin mbi Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida ka ngritur pikëpyetje serioze mbi aftësinë e kompanisë Blue Origin të Jeff Bezos për të përmbushur angazhimet ndaj NASA-s në kuadër të planeve për dërgimin e astronautëve në Hënë dhe ndërtimin e një baze të përhershme atje.
Raketa New Glenn e Blue Origin shpërtheu rreth orës 21:00 sipas kohës lokale gjatë një testi rutinë të motorëve. Raketa 98 metra e lartë ishte planifikuar të niste një ngarkesë prej 48 satelitësh për rrjetin e internetit satelitor Leo të Amazon, që mund të lansohej që më 4 qershor.
Megjithëse askush nuk mbeti i lënduar nga shpërthimi spektakolar, dëmet në infrastrukturë janë të konsiderueshme. Pamjet nga vendngjarja tregojnë se një nga kullat mbrojtëse kundër rrufeve pranë platformës së lëshimit u rrëzua pas shpërthimit.
“I gjithë personeli është i sigurt dhe i paprekur. Ishte një ditë shumë e vështirë, por do të rindërtojmë gjithçka që duhet rindërtuar dhe do të rikthehemi në fluturime. Ia vlen”, shkroi Bezos në platformën X.
Dëmi më i madh lidhet me faktin se kompleksi i lëshimit LC-36 është i vetmi objekt në botë i ndërtuar për raketat New Glenn.
Kjo do të thotë se deri në rindërtimin dhe ricertifikimin e platformës, Blue Origin nuk ka asnjë mundësi për të lëshuar raketën e saj më të madhe. Analistët vlerësojnë se procesi mund të zgjasë me muaj dhe jo me javë.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi administratori i NASA-s, Jared Isaacman, prezantoi tre misionet e para të programit për krijimin e një baze hënore në polin jugor të Hënës, një projekt që ai e përshkroi si fillimin e një “pranie të përhershme” njerëzore në satelitin natyror të Tokës.
Misioni i parë, Moon Base 1, pritet të realizohet jo më herët se vjeshta e vitit 2026 me anë të mjetit robotik Blue Moon Mark 1 “Endurance” të Blue Origin. Misioni synon të transportojë dy instrumente shkencore të NASA-s dhe të testojë teknologjitë e uljes precize që do të përdoren në misionet e ardhshme me astronautë.
Megjithatë, ky mjet ishte planifikuar të nisej drejt Hënës mbi një raketë New Glenn, pikërisht modeli që u shkatërrua në shpërthimin e fundit, duke ngritur dyshime të menjëhershme mbi realizimin e afateve të shpallura.
Këtë javë NASA i dha gjithashtu Blue Origin një kontratë me vlerë deri në 468 milionë dollarë për transportimin në Hënë të dy automjeteve hënore të ndërtuara nga kompanitë Astrolab dhe Lunar Outpost.
Automjetet duhet të mbërrijnë në polin jugor të Hënës deri në vitin 2028, përpara se astronautët të zbresin atje.
NASA synon një ulje të ekuipazhit në Hënë në vitin 2028, megjithëse shumë ekspertë kishin shprehur dyshime për realizimin e këtij afati edhe para incidentit të fundit.
Shpërthimi paraqet gjithashtu një problem të madh për ambiciet tregtare të Amazon. Raketa e shkatërruar duhej të transportonte 48 satelitë të rrjetit Leo, sistemi i internetit satelitor i njohur më parë si Project Kuiper, i krijuar për të konkurruar me rrjetin Starlink të Elon Musk.
Aktualisht, pak më shumë se 300 satelitë Leo ndodhen në orbitë, ndërsa Starlink ka mbi 10 mijë satelitë funksionalë. Diferenca e madhe mes dy rrjeteve po bëhet një problem serioz për Amazon.
Sipas licencës së Komisionit Federal të Komunikimeve të SHBA-së (FCC), Amazon duhet të ketë në orbitë gjysmën e konstelacionit të planifikuar prej 3.236 satelitësh deri më 30 korrik 2026.
Në fund të muajit maj, kompania rezultonte me më shumë se 1.300 satelitë më pak se objektivi i kërkuar. Vonesat janë atribuar pjesërisht mungesës së raketave të disponueshme për lëshim, përfshirë edhe ato të Blue Origin.
Me New Glenn jashtë funksionit për një periudhë që pritet të zgjasë me muaj, Amazon do të mbështetet edhe më shumë te kompanitë rivale për të vazhduar vendosjen e satelitëve në orbitë, veçanërisht te SpaceX e Elon Musk.
Duke reaguar ndaj pamjeve të shpërthimit në rrjetin X, Musk komentoi shkurt:
“Shumë për të ardhur keq. Raketat janë të vështira.”
