Vendosni fjalën kyçe....

Goditet grupi i dyshuar për shpërndarje droge pranë shkollave në Durrës, 17 të arrestuar



Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Cleaning 5”, pas disa muajsh hetime, duke goditur një grup të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Shijak dhe Manzë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe cannabis sativa, si edhe 3 armë zjarri, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov. Po ashtu janë sekuestruar shuma parash, automjete dhe telefona celularë.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar masa sigurie për 17 shtetas. Për 13 prej tyre është caktuar masa “arrest në burg”, ndërsa për 4 të tjerë masa “arrest në shtëpi”. Një tjetër person është shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, të arrestuarit janë banues në Durrës, Kavajë, Shijak dhe në zonat e Sukthit, Manzës dhe Xhafzotajt. Ata akuzohen për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Nga hetimet dyshohet se grupi siguronte lëndë narkotike dhe i shpërndante kryesisht pranë shkollave dhe zonave të frekuentuara nga të rinjtë.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me forcat operacionale, “Shqiponjat”, Stacionin e Policisë Manzë dhe Komisariatin e Policisë Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.