Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku nga Spanja: Integrimi nuk bëhet me propagandë dhe flamuj, por me reforma reale


Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, reagoi nga Madridi në ditën kur Shqipëria zhvilloi konferencën e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian për grupkapitullin e “Themeloreve”.

Gjatë takimeve në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve në Spanjë, Tabaku deklaroi se raporti IBAR tregoi qartë se procesi i integrimit mbetet i gjatë, i vështirë dhe i lidhur drejtpërdrejt me vullnetin politik për reforma reale.

Sipas saj, integrimi europian nuk është thjesht proces teknik apo miratim ligjesh në letër, por një proces moral, politik, ekonomik dhe shoqëror që kërkon ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve.

Tabaku akuzoi mazhorancën se ka penguar për vite me radhë një sërë reformash të propozuara nga opozita, duke përmendur ligjet për prokurimet publike, koncesionet, investimet strategjike, si edhe nismat për lirinë e medias dhe forcimin e rolit të parlamentit në procesin e integrimit

Ajo theksoi se një pjesë e rëndësishme e detyrimeve të Shqipërisë lidhen me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Procesi i integrimit kërkon punë, kërkon rezultate dhe mbi të gjitha kërkon që qytetarët shqiptarë t’i prekin këto ndryshime në jetën e tyre të përditshme”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate shtoi se integrimi europian është reforma më e rëndësishme shtetformuese për Shqipërinë dhe kërkoi që procesi të trajtohet si një plan serioz reformash dhe jo si propagandë politike e ditës