Vendosni fjalën kyçe....

“Mos luani me durimin e rinisë”, studentët marshim në Tiranë për Gjuhën Shqipe në RMV


Me flamuj kombëtarë kuqezi dhe plis në kokë, dhjetëra studentë marshuan këtë të hënë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet në Gjuhën Shqipe.

Protesta nisi nga Sheshi Skënderbej dhe më pas marshimi u drejtua drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, mes pankartave dhe thirrjeve për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në RMV.

“Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”, ishte pankarta që shoqëroi marshimin e studentëve gjatë gjithë protestës.

Përfaqësues të studentëve në Tiranë bënë thirrje për solidaritet dhe bashkim, duke theksuar se kauza për Gjuhën Shqipe i përket të gjithë shqiptarëve.

“Është një protestë gjithëpërfshirëse. Le të bëhemi bashkë, ajo që po ndodh nuk është e drejtë”, u shpreh një prej organizatorëve.

Një tjetër protestues deklaroi se identiteti shqiptar është ruajtur ndër vite falë gjuhës.

“Jemi zot shtëpie dhe zëri ynë nuk mund të fshihet”, tha ai gjatë marshimit.

Ndërsa një student tjetër paralajmëroi institucionet që të mos injorojnë kërkesat e të rinjve shqiptarë.

“Mos luani me durimin e një rinie që nuk di çfarë është nënshtrimi. Gjuha Shqipe do të flitet. Shqiptar kam qenë dhe do të mbetem”, u shpreh ai.

Protestat kanë ardhur pas refuzimit të autoriteteve në RMV për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i Jurisprudencës të mbahet edhe në shqip, çështje që ka shkaktuar reagime të forta në të gjitha trevat shqiptare.