Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli tentoi dy herë eliminimin e kreut të Hezbollahut javët e fundit


Izraeli ka tentuar të eliminojë të paktën dy herë në javët e fundit sekretarin e përgjithshëm të Hezbollah, Naim Qassem. Lajmi është raportuar nga media saudite Al Hadath, e cila citon një burim anonim izraelit, shkruan JP.

Raporti vjen menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kishte urdhëruar intensifikimin e sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj Hezbollahut.

Pas njoftimit, në rrjetet sociale qarkulluan pamje që tregonin banorë duke u larguar me panik nga zona e Dahiya-s në Bejrut, bastioni kryesor i Hezbollahut në periferi të kryeqytetit libanez.

Ndërkohë, gazetari i N12, raportoi se një zyrtar i lartë amerikan ka lënë të kuptohet se Uashingtoni do të mbështeste një ofensivë izraelite kundër Hezbollahut në Liban.

Sipas raportit, zyrtari amerikan deklaroi gjatë një takimi në Uashington se Hezbollahu kishte injoruar kërkesat e përsëritura për të ndalur sulmet ndaj Izraelit, përfshirë edhe një ultimatum të fundit.

“Izraeli nuk pritet të qëndrojë pasiv përballë sulmeve ndaj trupave dhe civilëve të tij. Ky nuk është administrata Biden”, mësohet të ketë thënë zyrtari amerikan.

Nga ana tjetër, Iran paralajmëroi gjatë natës SHBA-në se çdo sulm izraelit ndaj Bejrutit ose periferive jugore të tij do të rrezikonte seriozisht përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhe mund të shkaktonte kolapsin e negociatave aktuale.

Sipas Al Jazeera, që citon një zyrtar iranian, paralajmërimi vjen në një kohë kur në Doha po zhvillohen negociata mes Teheranit, Uashingtonit dhe ndërmjetësve rajonalë për çështje që lidhen me ngushticën e Hormuzit dhe uljen e tensioneve në rajon.