
Polemizuese dhe shpesh e hapur në deklaratat e saj, kongresmenia demokrate në largim Jasmine Crockett po përballet me kritika në rrjet pasi komentet që bëri gjatë fundjavës së Ditës së Pavarësisë u bënë virale.
“Kur vjen puna te pyetja se çfarë i detyrohet Amerika grave me ngjyrë të zezë, përgjigjja është: gjithçka,” tha ajo gjatë një interviste në Essence Festival of Black Culture në New Orleans.
Ajo shtoi se gratë me ngjyrë kanë bërë sakrifica historike “nga momenti kur u rrëmbyem nga vendet tona dhe u sollëm në këtë vend”, duke argumentuar se ato kanë qenë “shtylla kryesore” dhe shpesh “të parat që goditen nga çdo dëm”.
Festivali Essence, i lidhur me revistën Essence, mbledh figura të njohura të kulturës së zezë për të festuar kulturën, komunitetin dhe biznesin, shkruan Fox.
Në event këndoi edhe reperja Cardi B, ndërsa ish-Zonja e Parë Michelle Obama mbajti një fjalim.
Deklaratat e saj u përhapën shpejt në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të ndryshme dhe shpesh kritike nga përdoruesit, të cilët i quajtën ato të tepruara ose të pasakta.
Crockett, një kongresmene me dy mandate, nuk do kandidojë sërish pasi distrikti i saj u rikonfigurua në mënyrë më favorizuese për republikanët. Zyrat e saj nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga mediat.