
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan Donald Trump ka ndërhyrë personalisht për të ndihmuar ish-ministrin e Drejtësisë së Polonisë, Zbigniew Ziobro, i cili kërkohet nga Varshava për akuza penale, të largohej drejt Shteteve të Bashkuara, raportoi Reuters.
Sipas raportimit, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit Christopher Landau udhëzoi zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që të lehtësonin dhe miratonin një vizë për Ziobron. Ai thuhet se e konsideroi çështjen si “një çështje të sigurisë kombëtare”.
Zyrtarë të përfshirë në rast, të cituar nga Reuters, thanë se Landau mësoi për çështjen më herët gjatë vitit nga ambasadori amerikan në Varshavë Tom Rose dhe besoi se ish-ministri po ndiqej padrejtësisht.
Dhënia e një vize për një politikan të akuzuar në një vend aleat të SHBA-së është “shumë e pazakontë”, theksoi raporti.
Ministri aktual i Drejtësisë së Polonisë, Waldemar Żurek, reagoi duke thënë se Varshava priste konsultim me aleatët amerikanë për një rast të tillë dhe se Polonia do të “bëjë gjithçka” për ta sjellë Ziobron para drejtësisë.
Ziobro përballet me akuza për abuzim me pushtetin dhe për drejtimin e një grupi të dyshuar që ka devijuar fonde publike për blerjen e softuerit spiun Pegasus, i përdorur për survejimin e kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve. Ai mund të dënohet deri në 25 vjet burg nëse shpallet fajtor, shkruan Rt.
Ai është përfaqësues i partisë opozitare “Ligj dhe Drejtësi” (PiS). Autoritetet polake kishin lëshuar urdhër arresti për të vitin e kaluar, ndërsa ai kishte qëndruar më parë në Hungari pasi iu dha azil politik nga Viktor Orbán.
Më pas, sipas mediave polake, Ziobro është larguar drejt Shteteve të Bashkuara.
Administrata Trump ka deklaruar më parë se politikanët konservatorë në BE shpesh janë objekt i “lawfare”, një term që i referohet përdorimit të sistemit gjyqësor për arsye politike.