Vendosni fjalën kyçe....

“Numri i të prekurve nga Covid-19, dhjetëra herë më i lartë sesa raportimet zyrtare në SHBA” – Studimi


Numri i personave të infektuar me Covid-19 në Los Angeles County mund të jetë shumë herë më i lartë nga sa tregojnë shifrat zyrtare, thonë studiuesit, duke paralajmëruar se parashikimet dhe strategjitë e shëndetit publik kanë nevojë për një rregullim.

Deri në 442,000 të rritur që jetojnë në qarkun e Los Angeles mund të jenë infektuar me koronavirusin e ri, ka thënë Universiteti i Kalifornisë Jugore, pas kryerjes së testeve të antitrupave Covid-19 mbi 863 njerëz që jetojnë në këtë zonë.

Këto shifra janë “28 deri 55 herë më të larta” sesa numri i rasteve të konfirmuara zyrtarisht e të njohura për autoritetet në kohën e hulumtimit në fillim të prillit, thuhet në deklaratën e universitetit.

Të hënën, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në mesin e popullsisë prej afro 10 milionë njerëz në Los Angeles County qëndroi në 12.300.

Të dhënat e reja sugjerojnë që autoritetet “mund të duhet të rivlerësojnë modelet e parashikimit të sëmundjes dhe të rishikojnë strategjitë e shëndetit publik,” shtoi studimi.