
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Pekin për një vizitë zyrtare dyditore në Kinë, me ftesë të presidentit kinez Xi Jinping. Vizita përkon me 25-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Rusisë dhe Kinës.
Vizita zhvillohet më pak se një javë pas udhëtimit të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë. Trump qëndroi në Pekin për një vizitë shtetërore dyditore javën e kaluar, por pa arritur ndonjë përparim të madh në bisedimet me Xi Jinping.
Kremlini ka hedhur poshtë spekulimet se koha e vizitës së Putinit lidhet me kontaktet SHBA-Kinë, duke deklaruar se “nuk ka absolutisht asnjë lidhje”. Ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, tha më herët këtë javë se përgatitjet për vizitën nisën menjëherë pas një videotelefonate mes Putinit dhe Xi në muajin shkurt.
Presidenti rus u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, një gardë nderi dhe një grup fëmijësh që valëvitnin flamujt rusë dhe kinezë. Disa pjesëtarë të gardës së nderit mbërritën në pistë me motoçikleta përpara uljes së avionit presidencial rus.
Delegacioni presidencial përfshin zyrtarë të lartë, ministra dhe drejtues të kompanive më të mëdha ruse. Sipas Ushakov, gjatë vizitës pritet të nënshkruhen rreth 40 dokumente dypalëshe, përfshirë një deklaratë të përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis dy vendeve, shkruan Rt.
Takimet mes dy presidentëve janë planifikuar për të mërkurën. Sipas Moskës, Putin dhe Xi do të zhvillojnë si bisedime kokë më kokë, ashtu edhe takime në format të zgjeruar, të fokusuara në “çështjet më të rëndësishme dhe më sensitive” të marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet kryesore ndërkombëtare.