Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni mbron “Kupolën e Artë” të Trump-it pas vlerësimit prej 1 trilion dollarësh


Zyrtari që udhëheq projektit e presidentit Donald Trump, “Kupola e Artë” ka kundërshtuar një vlerësim sipas të cilit ky mburojë raketore tejet sekrete do kushtonte gjashtë herë më shumë se sa parashikohej, duke ngritur pikëpyetje rreth çmimit të vërtetë të projektit të administratës.

Gjenerali i Forcave Hapësinore të SHBA-së, Michael Guetlein, i cili është edhe drejtori i “Kupolës së Artë”, tha se raporti i Zyrës së Buxhetit të Kongresit (CBO) bazohej në informacione të paplota. CBO përdori kriteret e përcaktuara në urdhrin ekzekutiv të Trump-it të janarit 2025 që nisi projektin, dhe vlerësoi se sistemi mund të kushtojë 1.2 trilionë dollarë gjatë njëzet viteve, shumë më tepër se shifra prej 185 miliardë dollarësh e paraqitur nga administrata.

“Ata nuk bënë vlerësimin e arkitekturës që ne po ndërtojmë,” tha ai të enjten në një konferencë në Uashington, një ditë pas publikimit të raportit, duke shtuar se Pentagoni nuk kishte ndarë shumë informacione.

Sipas Guetlein, raporti mori parasysh “kapacitete të vjetra” dhe të kushtueshme, mbi të cilat arkitektura aktuale nuk do mbështetet.

Megjithatë, senatori Tim Sheehy, një republikan nga Montana i cili shërben në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura, ra dakord me raportin se çmimi ka të ngjarë të kalojë 1 trilion dollarë.

“Nëse ndërtohet sipas vizionit të presidentit, ashtu siç duhet, ky do jetë një projekt shumëtrilionësh,” tha ai në konferencë.

“Dhe mendoj se thjesht duhet të jemi të sinqertë me njerëzit për këtë.”

Ekspertët e kishin parashikuar që vlerësimi i kostos nga administrata për “Kupolën e Artë” ishte jorealist i ulët.

“Kupola e Artë” renditet mes përpjekjeve të tjera të shtrenjta të administratës, si një sallë e re vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë dhe një kërkesë e paprecedentë prej 1.5 trilionë dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes, ndërkohë që konflikti në Lindjen e Mesme vijon. Kostoja e vlerësuar e luftës me Iranin është afër 29 miliardë dollarë, i tha ligjvënësve me 12 maj kontrolluesi i përkohshëm i Pentagonit, Jules Hurst, pasi kishte dhënë një shifër prej 25 miliardë dollarësh në një seancë dëgjimore më 29 prill.

Kongresi miratoi 25 miliardë dollarë për “Kupolën e Artë” vitin e kaluar dhe Pentagoni po kërkon 17 miliardë dollarë më shumë për vitin e ardhshëm fiskal, por ligjvënësit mund të jenë të pavendosur për të vazhduar financimin e projektit nëse kostot tejkalojnë ndjeshëm vlerësimet.

CBO refuzoi të bënte komente.

Senatori i Oregonit, Jeff Merkley, demokrati më i lartë në Komitetin e Buxhetit të Senatit, në një deklaratë të lëshuar të mërkurën e quajti “Kupolën e Artë” një “shpërndarje masive parash për kontraktorët e mbrojtjes, e paguar nga amerikanët punëtorë.”

Demokratët nuk janë të vetmit kritikë që flasin për shpenzimet e “Kupolës së Artë”. Në të djathtën politike, Benjamin Giltner, analist politikash për mbrojtjen dhe politikën e jashtme në Institutin Cato, e përshkroi projektin si “të pakuptimtë” të enjten në faqen e internetit të institutit kërkimor libertarian me qendër në Uashington, duke shtuar se “kostot e këtij projekti janë më të këqija nga sa mendohej fillimisht.”

Si pjesë e “Kupolës së Artë”, Forca Hapësinore ka ndarë 3.2 miliardë dollarë për prototipet e bllokuesve me bazë në hapësirë për kompani të ndryshme, përfshirë SpaceX të Elon Musk, si dhe Lockheed Martin Corp., Northrop Grumman Corp., RTX Corp. dhe Anduril Industries Inc.

Këto mjete hapësinore, të cilat ende nuk ekzistojnë, kanë për qëllim të shkatërrojnë raketat që vijnë nga orbita.

Marrëveshjet fillestare mund të zhbllokojnë miliarda të tjera në kontrata pasuese dhe kontrata të tjera të mbrojtjes me bazë në hapësirë, sipas një raporti nga analisti i lartë i Bloomberg Intelligence, Wayne Sanders.

Raporti i CBO parashikon se përbërësi hapësinor, më i shtrenjti i sistemit, do të përfshijë satelitë bllokues në orbitën e ulët të Tokës pothuajse polare, dhe do të kushtojë rreth 720 miliardë dollarë për t’u zhvilluar, vendosur dhe mirëmbajtur.

Disa drejtues nga firmat tregtare që punojnë në këta bllokues me bazë në hapësirë kundërshtuan vlerësimin e CBO-së.

“Mendoj se ata gabojnë, dhe mendoj se ne mund të jemi shumë më mirë tani sa i përket kostos,” tha Eric Romo, shefi i operacioneve i Impulse Space Inc. Kompania nga Redondo Beach, Kaliforni, është në mesin e firmave që punojnë me Anduril për të demonstruar bllokuesit me bazë në hapësirë në vitin 2027, shkruan Bloomberg,

Numrat e CBO-së bazohen në “thashetheme se si do të duket sistemi,” tha Justin Fiaschetti, shefi ekzekutiv i Inversion Space Co. me qendër në Los Anxhelos, një tjetër partner i Anduril. “Ata nuk kanë asnjë informacion se çfarë po ndërtohet aktualisht.”

Nëse bllokuesit me bazë në hapësirë nuk mund të rriten në shkallë me një kosto të përballueshme, tha Guetlein, Pentagoni nuk do të ecë përpara me programin.