Zyrtarë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump po inkurajojnë Emiratet e Bashkuara Arabe që të përfshihen më thellë në përballjen me Iranin, madje duke marrë nën kontroll një prej ishujve iranianë në Gjirin Persik, raportoi gazeta britanike The Telegraph.
Sipas raportit, persona pranë Trump kanë sugjeruar që Emiratet të pushtojnë ishullin Lavan, për të cilin mediat pretendojnë se ishte goditur fshehurazi nga Abu Dhabi gjatë muajit prill.
“Shkoni dhe merrini!”, citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë i sigurisë në administratën amerikane, duke shtuar se “do të ishin trupat e Emirateve në terren dhe jo ato amerikane”.
Raporti vjen në një kohë kur janë shtuar spekulimet për afrimin strategjik mes Emirateve, SHBA-së dhe Izraelit në përballjen me Iranin.
Në javët e fundit janë raportuar vizita në Abu Dhabi të drejtuesve më të lartë të sigurisë izraelite, përfshirë shefin e Shtabit të IDF-së, kreun e Mossadit dhe drejtuesin e Shin Bet-it. Gjithashtu u raportua edhe për një vizitë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila u mohua më pas nga Emiratet, sipas Ynet.
Sipas The Telegraph, ekspertët besojnë se sulmet iraniane ndaj vendeve të Gjirit po përshpejtojnë një rreshtim të ri gjeopolitik në Lindjen e Mesme dhe mund të krijojnë një bosht të ri kundër Teheranit. Raporti thekson se Emiratet kanë qenë ndër vendet më të goditura nga Irani gjatë luftës, me mbi 2,800 raketa dhe dronë të lëshuar ndaj tyre që nga nisja e konfliktit.
Zyrtarë emiratas i thanë gazetës britanike se Abu Dhabi ka marrë më shumë mbështetje nga Izraeli dhe SHBA-ja sesa nga fqinjët arabë të Gjirit, të cilët sipas tyre treguan pak solidaritet.
Ndërkohë, Bloomberg raportoi më herët se Emiratet kishin tentuar të bindnin Arabinë Saudite dhe Katarin që t’i bashkoheshin një përgjigjeje të koordinuar ushtarake kundër Iranit, por kishin hasur në refuzim.
Sipas Wall Street Journal, Emiratet kanë kryer sulme ushtarake brenda territorit iranian, përfshirë një goditje ndaj një rafinerie në ishullin Lavan në fillim të prillit, e cila shkaktoi zjarr të madh dhe ndërpreu pjesërisht prodhimin në objekt. Emiratet nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht këto raportime.
