
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, i kryesuar nga ambasadori Silvio Gonzato, ka vizituar ambientet e rikonstruktuara të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë vizitës, Gonzato vlerësoi përmirësimet në infrastrukturën gjyqësore dhe theksoi se modernizimi i gjykatave duhet të mbetet prioritet në të gjithë vendin, për të garantuar siguri, transparencë dhe akses më të mirë në drejtësi.
Sipas Delegacionit të BE-së, rikonstruksioni i godinës është financuar nga Bashkimi Evropian, ku rreth 80% e kostos është mbuluar përmes ripërdorimit të aseteve të konfiskuara.
Postimi i plotë i Delegacionit të BE në Shqipëri:
Vizituam godinën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është financuar nga BE dhe së fundmi është rikonstruktuar për të përmbushur standardet më të larta të BE-së. Ne mirëpresim faktin që 80% e kostos së rikonstruksionit u financua përmes ripërdorimit të aseteve të konfiskuara.
Gjatë vizitës, Kryetari në detyrë i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, gjyqtari Erion Bani, dhe Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, diskutuan rolin e Gjykatës në forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe në ruajtjen e standardeve të larta në vendimmarrje.
Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se përmirësimi i standardeve të infrastrukturës gjyqësore duhet të mbetet prioritet në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar siguri, transparencë dhe akses në drejtësi.