Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohen hollësi të reja për shkëmbimin e të burgosurve të profilit të lartë SHBA-Rusi


Kremlini nuk po përjashton shkëmbimet e mëtejshme të të burgosurve me SHBA-në, u tha gazetarëve të premten presidenti rus Putin. Kontaktet midis shërbimeve të sigurisë të dy kombeve janë ‘në vazhdimësi’, tha Putin, duke shtuar se çdo veprim i mëtejshëm i tillë do vinte si rezultat i këtyre negociatave.

Presidenti po fliste pas një shkëmbimi të të burgosurve ku ylli i basketbollit të femrave Brittney Griner u shkëmbye me biznesmenin e burgosur rus Viktor Bout të enjten. Sipas Putin, Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) ishte angazhuar në bisedimet për marrëveshjen e shkëmbimit në emër të Rusisë.

“A janë të mundshme shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve? Gjithçka është e mundur.” – tha Putin, duke folur në një konferencë për shtyp në një samit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik në kryeqytetin Kirgistan, Bishkek.

“Kontaktet janë në vazhdim.” – tha udhëheqësi rus, duke shtuar se shërbimet ruse dhe amerikane të sigurisë nuk kanë pushuar kurrë së foluri me njëri-tjetrin. shkëmbimi i Griner me Bout ka ardhur si rezultat i bisedimeve dhe kërkimit të një kompromisi, tha Putin.

Griner u shkëmbye për Bout në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, pas bisedimeve midis Moskës dhe Uashingtonit dhe muajve të tëra spekulimesh rreth marrëveshjes.

Dy herë fituesja e medaljes së artë olimpike, e cila luan për Phoenix Mercury në SHBA, u dënua me nëntë vjet pas hekurave në Rusi në gusht për akuza trafiku lëndësh narkotike pasi shishe vaji kanabisi u gjetën në bagazhin e saj në një aeroport të Moskës. 32-vjeçarja po udhëtonte për të luajtur në ligën ruse gjatë sezonit jashtë WNBA.

Bout kishte kaluar më shumë se 14 vjet pas hekurave, duke përfshirë 12 vjet në burgjet amerikane, si pjesë e një dënimi 25-vjeçar për trafik armësh, të cilat ai i ka mohuar gjithmonë.

Biznesmeni u arrestua në vitin 2008 pas një operacioni në Tajlandë dhe në vitin 2012 u dënua nga një gjykatë amerikane për tregti të paligjshme armësh.

Marrëveshja u kritikua nga disa politikanë amerikanë, duke përfshirë ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare, John Bolton, dhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Kritikët thanë se kjo tregon dobësinë e Uashingtonit dhe vunë në dukje faktin se një ish-marinist amerikan, Paul Whelan, i cili dyshohet se u përfol si pjesë e marrëveshjes, mbetet në një burg rus. Whelan po vuan një dënim 16-vjeçar pasi u dënua për spiunazh në vitin 2020.